6 mln euro në ndihmë të bizneseve/ Fondi Besa dhe Banka për Tregti dhe Zhvillim e Detit të Zi rrisin financimin

Banka për Tregti dhe Zhvillim e Detit të Zi ka nënshkruar marrëveshjen me Fondin BESA, të cilës i ka akorduar 6 milionë euro për t’u ardhur në ndihmë bizneseve. Që nga viti 2014, këto dy institucione kanë bashkëpunuar për 4 kredi që kapin vlerën e 21 milionë eurove.

Banka për Tregti dhe Zhvillim e Detit të Zi ka nënshkruar marrëveshjen e akordimit të 6 milionë eurove për fondin BESA  për të asistuar me kredi bizneset mikro, të vogla dhe të mesme.

Drejtori Ekzekutiv i Fondit BESA, Bajram Muçaj, e konsideroi këtë mbështetje si një tregues besimi dhe bashkëpunimi mes dy institucioneve.

Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme zënë gati 90% të ekonomisë së Shqipërisë dhe janë motori i rritjes dhe zhvillimit të vendit.

Për këtë, Presidenti i Bankës për Tregti dhe Zhvillim të Detit të Zi, Dmitry Pankin, u shpreh se fondet do të shërbejnë për të forcuar ekonominë e vendit.

"Duke forcuar partneritetin solid që kemi me Fondin BESA, ne jemi të kënaqur të vazhdojmë të ofrojmë fonde të reja që do të forcojnë ekonominë reale në vend, veçanërisht në një kohë kur pandemia e ka vënë nën presion të pashembullt ekonominë shqiptare dhe ku bizneset e vogla janë ata që vuajnë më shumë."

Kjo është kredia e katërt e Bankës për Tregti dhe Zhvillim të Detit të Zi për Fondin BESA që nga fillimi i bashkëpunimit në vitin 2014.

Që nga ai vit, banka ka injektuar gjithsej 21 milionë euro në ekonominë shqiptare përmes Fondit BESA dhe falë kësaj mbështetje janë financuar më shumë se 10.000 biznese në Shqipëri.