Incidenti i policisë me gazetarin/ Basha: Akt i turpshëm, dhuna është produkt i modelit Rama

Kryedemokrati Lulzim Basha, ka reaguar në lidhje me incidentin e policisë me gazetarin e News 24 Ergys Gjençaj.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Basha shkruan se është një akt i turpshëm që duhet dënuar me forcë.

Sipas tij, brutaliteti ndaj gazetarit në detyrë duhet hetuar dhe personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi para ligjit

Gjithashtu ai shton se dhuna ndaj gazetarëve është produkt i modelit të Kryeministrit Edi Rama, teksa shton se dhuna ndaj reporterëve është dhunë ndaj demokracisë.

"Dhunimi i reporterit Ergys Gjençaj është një akt i turpshëm që duhet dënuar me forcë nga të gjithë. Brutaliteti ndaj gazetarit në detyrë duhet hetuar dhe personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Represioni dhe dhuna ndaj gazetarëve…është produkt i modelit Rama që kërkon të zhbëjë të vërtetën me propagandë, korrupsion dhe dhunë. Kjo konfirmohet edhe nga raporti I fundit i OSBE/ODIHR. Dhuna ndaj gazetarëve dhe lirisë së mediave është dhunë ndaj demokracisë dhe lirive të çdo qytetari."- shkruan Basha. 

Efektivët e policisë së shtetit u përfshinë në një incident të dhunshëm ndaj gazetarit të televizionit News 24, Ergys Gjençaj. Ky i fundit ka qenë duke filmuar kontrollet që forcat e rendit po kryenin në një automjet në kohën kur efektivat e policisë kanë ndërhyrë duke e shtrire përtokë me forcë.