Dështoi regjistrimi në shkolla përmes E-Albania

Regjistrimi për herë të parë në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme po shoqërohet me probleme në portalin e-Albania. Disa prindër refuzuan të aplikonin në shkollën e afërt me vendbanimin e tyre duke bojkotuar procesin. Pas të gjitha këtyre problemeve të paraqitura, është vendosur që aplikimi të bëhet edhe në një fazë të dytë por ministria e arsimit nuk ka dhënë asnjë shpjegim.

Regjistrimi për në klasat e para dhe ato të 10 këtë vit u përcaktua për tu bërë online, por duket se ky projekt dështoi.

Pritej që këtë vit në klasën e parë të regjistroheshin 30 mijë fëmijë, por përmes portalit e-Albania këtë proces e kanë kryer vetëm rreth 3550.

Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare radhit edhe problemet me të cilat janë hasur prindërit apo kujdestarët e fëmijëve.

"Kemi 5500 të regjistruar në klasat e para ndërkohë që ajo që pritej ishte rreth 9000 nxënës. Është një sistem i vështirë jo vetëm për prindërit por edhe administratorët e shkollave ku pavarësisht se kanë marrë regjistrimin e prindërve për fëmijët e tyre nuk kanë pasur mundësi t'u kthejnë përgjigje nëse regjistrimi i tyre ka qenë korrekt ose jo korrekt. Shumë familjeve nuk mund t'u gjesh dyer në banesat e tyre jo më të gjesh smartphone".

Problemin me e-Albania e pranojnë jashtë kamerave edhe mësuses në gjimnazet e Tiranës, ndaj dhe regjistrimi është shtyrë në një fazë të dytë.

"Tani do të bëhet për të gjithë sepse pati probleme në fazën e parë. Shumë prindër e kanë bojkotuar se nuk duan shkollën ku u takon."

Ministria e Arsimit përmes regjistrimit në e-Albania synonte të  shmangte zgjedhjen preferenciale të shkollave, por sipas Migen Qiraxhiut kjo çështje zgjidhet duke ofruar një nivel të njëjtë të mësimdhënies në çdo institucion arsimor.

"Duhet të fillojmë të adresojmë problemin e mësimdhënies në mënyrë të diferencuar. Çdo fëmijë qoftë në fshat, qytet apo periferi të Tiranës do të duhet të marrë të njëjtën cilësi të mësimdhënies".

Në lidhje me regjistrimet, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për informacion, Ministria e Arsimit ka qenë hermetike, duke mos dhënë asnjë shpjegim se si do të veprohet, ndërkohë që zyra e shtypit kujdeset të publikojë aktivitete të Ministres si dhurimi i gjakut apo takimi i saj me nënën.