Automjeti me të dyshuarin u ik nga duart, policia shtrin në tokë gazetarin dhe i merr celularin

Efektivët e policisë së shtetit u përfshinë në një incident të dhunshëm ndaj gazetarit të televizionit News 24, Ergys Gjençaj. Ky i fundit ka qenë duke filmuar kontrollet që forcat e rendit po kryenin në një automjet në kohën kur efektivat e policisë kanë ndërhyrë duke e shtrire përtokë me forcë.

Në pamjet e ngjarjes duket momenti kur gazetari Gjençaj dhe kolegë të tij po filmojnë policët e maskuar dhe me armë, që ndaluan një automjet duke i kërkuar drejtuesit të hapë derën.

Në këtë moment shoferi lëviz mjetin dhe largohet, duke rrezikuar jetën e efektivave të policisë ndërkohë që më pas, policia u kthehet gazetarëve duke u kërkuar që të mos filmojnë skenën.

Pasi e kanë shtrirë përtokë duke e mbajtur për disa minuta jashtë dëshirës, efektivët mësohet se i kanë marrë celularin gazetarit me qëllim për ta penguar në kryerjen e punës së tij.

Nga ana tjetër efektivat e policisë janë vënë pas mjetit të larguar nga vendi i ngjarjes duke arritur ta ndalojnë atë.

Burimet thanë se forcat e rendit ndaluan tre persona si dhe kanë gjetur një sasi lënde narkotike.