Meta vlerëson heronjtë e Luftës Çlirimtare të Kosovës

Meta vlerëson heronjtë e Luftës Çlirimtare të

Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi (pas vdekjes) dy veprimtarë të shquar dhe heronj të Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”,Presidenti Meta dekoroi veprimtarin dhe atdhetarin Avdi Kelmendi (pas vdekjes)

Ndërsa me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Presidenti i Republikës vlerësoi njërin prej komandantëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorin Rrustem Bruçi (pas vdekjes)

"Historia e djeshme dhe e sotme e Kosovës i bën nder, jo vetëm Kosovës, por të gjithë kombit tonë. Sakrificat e shqiptarëve për mbrojtjen e gjuhës shqipe, flamurit kombëtar, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, janë të mëdha dhe të panumërta" u shpreh presidenti Ilir Meta në fjalën e tij.

Prof.Avdi Kelmendi, një nga organizatorët e demonstratave të vitit 1968 në Lipjan dhe rrethina, u burgos, u persekutua dhe u torturua, por asnjëherë nuk u dorëzua për t’i edukuar brezat e rinj me dashurinë për gjuhën shqipe, flamurin kombëtar dhe Shqipërinë.

Komandant Rrustem Bruçi, që në ditët e para iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, organizoi dhe përgatiti luftëtaret e lirisë, për të rënë Dëshmor në betejën e Loxhës.