Raporti i OSBE/ODIHR ndan politikën, PS: Vlerësimi më pozitiv i dhënë ndonjëherë për Shqipërinë
Mazhoranca dhe opozita janë të ndara në qëndrimet e tyre lidhur me raportin final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit. Ndryshe nga opozita, PS ka bindjen se ky ishte vlerësimi më i mirë i dhënë në këto 30 vite për Shqipërinë, pavarësisht komenteve mbi shitblerjen e votive, të cilat selia rozë i sheh si një fenomen që preku gjithë partitë. Nga ana tjetër LSI, reagoi duke thënë se raporti final i OSBE-ODIHR, faktoi manipulimet e kryera nga mazhoranca.
Për Partinë Socialiste, paporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit ishte vlerësimi më pozitiv i dhënë ndonjëherë për proceset elektorale në Shqipëri.
Sekretari Organizativ i PS, Arben Pëllumbi, u ndal tek fragmentet ku citohet puna organizative dhe përdorimi i teknologjisë në proces, megjithatë u shpreh se PS është e gatshme për adresimin e problemeve të evidentuara.
Pëllumbi: Raporti i referohet edhe fenomenit të vjetër të shitblerjes së votës, duke nënvizuar se: kishte pretendime për blerje votash dhe se në këto zgjedhje në dallim nga zgjedhjet e mëparshme hetimet filluan zyrtarisht në shumë raste. Këto pretendime nuk u kufizuan në vetëm një subjekt politik. Raporti vlerëson se rreth “30 investigime penale të blerjes së votës janë në proces dhe rreth 50 çështje penale për parregullsi të tjera u iniciuan në lidhje me zgjedhjet e 2021.
Një ditë pas publikimit të raportit reagoi edhe LSI përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Endrit Braimllari.
Ai tha se mazhoranca përdori çdo instrument për të manipuluar dhe diktuar rezultatin.
Braimllari: Raporti final i OSBE-ODHIR, i vuri vulën masakrës zgjedhore të 25 prillit të shkaktuar nga qeveria. Raporti, vulos faktin që më 25 prill nuk pati zgjedhje, por një masakër zgjedhore të drejtuar drejtëpërdrejt nga Rilindja. Nga ky raport, u konfimua se më 25 prill:Vullneti i shqiptarëve u tjetërsua, blerja masive e votave, presion ndaj votuesve në favor të rilindjes, keqpërdorimi i aseteve publik në avantazh të partisë në pushtet, rrijen e punësimit në administratën publike me qëllime elektorale, presion mbi administratën publike për të votuar partinë në pushtet, përdorimi i fondeve të rindërtimit për të orientuar votën, vjedhja e të dhënave private dhe personale nga partia në pushtet, përdorimi i grupeve kriminale për të intimiduar votuesit, ndryshimet kushtetuese të njëanshme në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Pra është e qartë që zgjedhjet e 25 prillit kanë rënë. Më 25 prill nuk pati zgjedhje të lira dhe të ndershme por tjetërsim vullneti, ndërhyrje dhunshëm në proces në favor rilindjes. Ndaj, beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershmë është pa kompromis për të shpëtuar të ardhmen e shqiptarëve dhe Shqipërisë nga një bandë në pushtet.
Raporti i OSBE/ODIHR u komentua edhe nga Ambasada e Britanisë në Tiranë, e cila kërkon hetimin e rateve të denoncuara për shitblerje votash.
