Zjarri shkrumboi ullishtet në Kurbin, përlotet e moshuara: Prej 30 vitesh siguronim bukën me to
Zjarri i të premtes ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në ullishtet e fshatit Zhejë në Kurbin.
7000 rrënjë janë dëmtuar nga flakët të cilat përshkuan një sipëprfaqe të konsiderueshme në pak orë.
Fermerët thonë se dëmet janë të konsiderueshme ndërsa akuzojnë autoritetet vendore dhe qëndrore për mosndërhyrjen në kohë për shuarjen e flakëve.
"Nuk ka ardhur asnjeri për tu interesuar."
"30 vjet ka që me këtë (ullishten) jemi duke ngrënë bukë, spitale e ilaçe. 50 marr pension unë dhe 150 burri, ça na dalin?"
Ndonëse kanë kaluar katër ditë nga zjarri, sipas banorëve asnjë nga institucionet nuk është parë në terren për verifikimin e dëmeve.
Në këto kushte, fermerët e prekur apelojnë për ndihmë pasi jetesa e tyre është e lidhur me bujqësinë.
"Dua ndihmë nga shteti."
"Janë shumëvjeçarë, shteti të vërë dorë. Ne këtë kemi ekonomi, nuk kemi ekonomi tjetër."
"Nuk dimë çfarë të bëjmë. Të na ndihmojë shteti po pati mundësi, po nuk ka, po ulemi dhe vdesim aty."
Sipas hetimeve, zjarri në fshatin Zhejë të Kurbinit u shkaktua nga pakujdesia teksa një grua po digjte disa shkurre në tokën e saj dhe flakët dolën jashtë kontrollit.
Për rastin është proceduar penalisht A.T, 45 vjeç, ndërsa për shuarjen e flakëve që rrezikuan gjithë fshatin u deshën rreth 6 orë.

