"Gazetarët në rrezik!" Raporti i OSBE për zgjedhjet: Truprojat e Erion Veliaj sulmuan dy reporterë të Ora News
Dy gazetarë të Ora News janë sulmuar në muajin prill nga truprojat dhe mbështetësit e kryebashkiakut, Erion Veliaj, gjatë kohës së ushtrimit të detyrës. Diçka të tillë e pohon edhe raporti final i OSBE-së për zgjedhjet, në të cilin evidentohet fakti se reporterët janë sulmuar fizikisht kur u përpoqën të intervistojnë drejtuesin vendor.
Në raportin final të OSBE-së për zgjedhjet pasqyrohet edhe dhuna e ushtruar nga truprojat e kryebashkiakut, Erion Veliaj, ndaj dy gazetarëve të Ora News.
Në faqet, 18 dhe 19, të dedikuara ndaj mjedisit në të cilin punoi media gjatë procesit zgjedhor, theksohet se gazetarët janë të pasigurtë dhe se kanë marrë kundërgjigje të ashpër në momentin që janë përpjekur të intervistojnë drejtuesin vendor të kryeqytetit.
“Politikanët shpesh herë përdorin gjuhë denigruese ndaj gazetarëve që raportojnë në mënyrë kritike mbi qeverinë. Në muajin Prill, pati dy incidente të filmuara të dhunës fizike kundrejt gazetarëve të Ora News nga truprojat e kryetarit të Bashkisë në Tiranë dhe në Kavajë nga mbështetësit e këtij të fundit.
Incidentet u shënuan kur gazetarët u përpoqën të intervistojnë Kryebashkiakun. Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias ka ngritur shqetësimin mbi intimidimet dhe sulmet ndaj gazetarëve, që minojnë sigurinë e tyre".
Episodet e përmendura në raport i referohen rasteve të gazetarëve Isa Myzyraj dhe Ronaldo Sharka.
Këta të fundit, përpos injorimit nga ana e Kryebashkiakut u përballën në njërin rast me largimin e dhunshëm nga truprojat, e në rastin e dytë me një situatë mjaft të rrezikshme, pasi u rrethuan e u goditën nga disa dhjetëra mbështetës së Erion Veliajt.
