Asfaltohet rruga në Bulqizë por 'harrojnë' shtyllën në kryqëzim, burim aksidentesh
Pak muaj më parë rruga nga spitali deri tek Komisariati i Policisë Bulqizë në lagjen e vjetër të këtij qyteti u rehabilitua plotësisht.
Investimi përfshiu asfaltimin e rrugës, kanalet e ujërave të shiut e atyre të ndotura, ndërtimin e trotuareve dhe gjebërimin.
Por në vend që rruga të sillte lëhtësimin e lëvizjes së automjeteve, ajo është bërë burim aksidentesh.
Zbatuesit e projektit duket sikur nuk e kanë parë të arsyeshme që këtë shtyllë në rrugë ta zhvendosin, por kanë zgjedhur që ta rrethojnë me asfalt.
Nëse për kompaninë ndërtuese kjo shtyllë nuk është problem, e kundërta ndodh me shoferët, të cilët thonë se ajo është burim aksidentesh.
"Është kryqëzim, edhe kazani i mbeturinave nuk duhet të jetë aty por duhet futur në një cep dhe shtylla nuk duhet të jetë në rrugë. E kam shumë problem kur kaloj në këtë rrugë, është burim aksidenti.Nuk ka as tabelë, asgjë."
Shtylla ndodhet në një nga rrugët më të përdorura të lagjes së vjetër të qytetit të Bulqizës dhe rreziku për aksidente është i madh, ndaj dhe shoferët kërkojnë zhvendosjen e saj.

