Raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet, Basha: Vula e turpit mbi vjedhjen më të madhe të pluralizimit

Vetëm një ditë pasi OSBE-ODIHR publikoi raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi sot në një konferencë për mediat se ky raport ishte vula e turpit mbi vjedhjen më të madhe në historinë e pluralizimit.

Sipas tij konstatimet e raportit të OSBE-ODIHR konfirmuan shqetësimet dhe denoncimet e bëra në mënyrë konsistence nga Partia Demokratike para dhe pas zgjedhjeve.

Basha: Para dhe pas 25 prillit PD i ka denoncuar krimet zgjedhore. Kemi depozituar 185 padi në SPAK dhe prokuroritë e rretheve për këto krime. Në vijim të traditës së pandëshkueshmërisë së dosjeve "184" dhe "339" personazhet e të cilave vijojnë të mbajnë peng integrimin e  e vendit, asnjë nga krimet elektorale nuk është ndëshkuar deri në këtë moment. Sot hetimi dhe ndëshkimi i blerjes së votës është hnjë nga rekomandimet parësore të OSBE-ODIHR, që e konsideron si prioritet absolut për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk po fërkojmë duart nga gëzimi që na doli fjala se ky regjim i ka shpallur luftë demokracisë tonë.

Kreu i opozitës tha se është detyrë e drejtësisë dhe SPAK të ndjekë me përparësi dosjet e krimeve zgjedhore, duke përfshirë ato që kanë zënë pluhur sipas tij dhe të ndalë ping-pongun me këto dosje.

Basha: Të mos lirohen autorët e dosjes "339" siç ndodhi dje por të ndëshkohet kushdo dhe në veçanti ortakët politikë të krimit të organizuar që masakruan çdo standard zgjedhor që goditën demokracinë dhe zhbënë të drejtën e shqiptarëve për të zgjedhur të lirë. Gjendemi para një paradoksi, ndërsa kërkojmë ndëshkimin e krimeve zgjedhore të 2021, në të njëjtën ditë kur doli raporti i OSBE-ODIHR lirohen disa nga personazhet e dosjes së Shijakut që ishte dhe një nga përbërësit e krizës politike në vend. Ndërkohë asnjë nga politikanët e përfshirë në mënyrë të drejtëpërdrejtë si në dosjen "184" ashtu dhe në atë "339" nuk është hetuar dhe as marrë i pandehur.

Shqipëria, tha Basha, nuk e ka luksin, kohën dhe as durimin të hidhet nga kriza në krizë.

Basha: Nuk mund të mbetet peng i dhunuesve të zgjedhësve që e përdorin shtetin si zgjatim të partisë për ta vendosur atë në shërbim të krimit dhe oligarkisë. Është mision parësor i drejtësisë të bëjë detyrën e  saj, vota e lirë është parësore për të garantuar një qeveri që punon për njerëzit dhe jo për veten e saj dhe klientët e saj. Raporti i OSBE-ODIHR konfirmoi se 25 prilli nuk zgjidhi asgjë për shqiptarët, as për ata që votuan partinë në pushtet dhe as shumicën që zgjodhi ndryshimin. Pyetja që shtrohet është kush do ta ofrojë arsimin më të mirë, rendin dhe sigurinë, shansin për një jetë më të mirë? Këta që shantazhuan punonjësit e administratës, këta që përdorën krimin për votat, këta që ia falën pasuritë e vendit një grushti oligarkësh për të marrë në këmbim para për një grusht votash?Këta nuk janë zgjidhja por vetë problemi. Ky raport i ndan në mënyrë të qartë palët në këtë përballje, nga njëra anë regjimi, autorët e masakrës zgjedhore dhe nga ana tjetër jemi ne opozita dhe shumica e shqiptarëve që nuk pajtohemi me këtë model shkatërrimtar për vendin dhe të ardhmen tonë. Detyra jonë, detyra e PD-së është që të bashkëpunojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të vetëdijshëm që koha na ka dhënë të drejtë për të gjitha pretendimet tona.

Zgjidhja sipas Bashës është vetëm hapja e rrugë  për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke lënë të kuptohet se do të kërkohet dhe luftohet për zgjedhje të parakohshme.

Basha: Zgjidhja është hapja e rrugës për zgjedhje demokratike, zgjedhje të lira dhe të ndershme për shumicën e shqiptarëve që duan ndryshim. Kemi mjetet dhe mundësinë ti japim demokracisë një jetë të re.

Basha u pyet dhe për marrëdhëniet që do të mbajë me Sali Berishën pas shpalljes së tij non grata dhe nëse ish-kryeministri është subjekt i dekriminalizimit.

Basha: Kriminalizimi i politikës është kryekëput një vepër e mirëmenduar e kreut të kësaj partie. Është kthyer problem jo thjesht për PS dhe vendin.