I dënuar me 12 muaj burg për tjetërsim pronash, arrestohet ish-juristi i Hipotekës së Lushnjes

Policia e Fierit ka vënë në pranga një ish-jurist të hipotekës së Lushnjes i dënuar me 12 muaj burg për veprat penale "Shpërdorim detyre" dhe "Falsifikim i dokumenteve".

I arrestuari është Selami Kasapi, 57 vjeç, banues në Lushnjë.

Gjykata e Shkallës së Parë Lushnjë me vendimin e datës 18 maj 2016, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë "Arrest me burg" për veprën penale "Falsifikimi i dokumenteve".

Gjithashtu, po kjo Gjykatë, me vendimin e datës 6 korrik 2020, e ka dënuar këtë shtetas me 12 muaj burg për veprën penale "Shpërdorim detyre".

Shtetasi Selami Kasapi, gjatë viteve 2014-2016, ka qenë me detyrë jurist pranë ZVRPP Lushnjë dhe gjatë kësaj kohe ka shpërdoruar detyrën duke falsifikuar dokumentet dhe duke regjistruar pronat në emër të disa personave.