Spiun policie dhe ngacmues femrash, 2 versionet që përdori Narkaj, për t’ju shmangur vrasjes së dyfishtë

Ardjan Narkaj, njeriu që u arrestua një ditë më parë nga forcat RENEA në fshatin Bratosh të Malësisë së Madhe, ka rezultuar se ka gënjyer drejtësinë, duke i treguar grupit të hetimit se vrasja e Tonin Ulaj dhe Gjergj Shotaj, ishte kryer mes këtyre dy personave dhe jo nga vetë Narkaj.

Ky i fundit, në masakrën e 7 Majit 2008 të ndodhur në fshtatin Bratosh, ka mbetur i plagosur dhe është ndaluar një ditë pas ngjarjes në datën 8 Maj.

Narkaj, që një ditë më parë u përpoq ti ikte policisë me shpresën për të mos u arrestuar, në 2008 ka mashtruar policinë duke u treguar se ai ishte dëmtuar nga plumbat që qëlluan dy viktimat, Tonin Ulaj dhe Gjergj Shotaj.

 

Sipas Narkaj, Tonini e akuzonte atë si spiun të policisë, me qëllim për të kapur Toninin, i cili në atë periudhë ishte në kërkim për kultivim të drogës.

Por gjatë dëshmisë, sërish Narkaj, ka dhënë një version tjetër se sebepi i sherrit mes tyre dhe marrjes peng të tij, ishte se Tonini - njëri nga viktimat - dyshonte se Ardjan Narkaj, i ngacmonte vajzën.

Kjo dëshmi me dy versione të kundërta, ka bërë që policia dhe prokuroria e Shkodrës, të fillojë të dyshojë mbi Ardjan Narkaj.

Këtij personi i është kryer një ekspertizë mbi gjurmët e barutit, nga ku ka dalë se kishte faktorë plotësues të qitjes në duar dhe rrobat e trupit.

Për më tepër, Narkaj së bashku me dy persona të tjerë është vënë në përgjim ambjental, ku ka rezultuar se ai ka kryer vrasjen e dy patriotëve të tij, Gjergj Shotaj dhe Tonin Ulaj.

Nga kqyrja e trupit të Tonin Ulaj, në xhepin e pantallonave të tij, policia gjeti një letër në të cilën ishin shënuar emrat e disa prokurorëve dhe gjyqtarëve të Shkodrës, që kishin çështjen penale kundër tij.

Ndërsa, Ardjan Narkaj, është arrestuar për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese” në dëm të dy personave dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.

Por në 24 prill 2011, gjykata e Shkodrës, vendosi të deklarojë të pafajshëm Ardian Narkaj, për akuzën e vrasjes së Tonin Ulaj dhe të dënojë atë vetëm për akuzën e “Vrasjes në kushtet e kapërcimit të nevojshëm” në dëm të viktimës Gjergj Shotaj.

Përfundimisht Narkaj, u dënua me 4 vjet e 10 muaj burgim, duke futur këtu dhe dënimin për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”.

Pas këtij vendimi Narkaj u lirua pasi pjesën e dënimit të dhënë nga gjykata e Shkodrës, e kishte kryer në periudhën e paraburgimit.

Ndërsa prokuroria ka apeluar vendimin dhe çështja në Apel është marë nga prokurori Elvin Gogaj. Pas studimit të dosjes penale, Gogaj kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për Ardjan Narkaj, për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese” në dëm të dy personave. Vepra penale u pranua nga gjykata e Apelit Shkodër, e cila në muajin tetor 2016, vendosi të dënojë me 21 vite burgim Ardjan Narkaj.

Ky vendim u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë. Ndërsa qysh prej tetorit 2016, e deri ditën e djeshme, Narkaj gjatë një periudhe 5 vjeçare i fshihej drejtësisë pikërisht në zonën e fshatit Bratosh, aty ku ai 13 vite më parë kishte kryer krimin e rëndë të vrasjes së dy personave.Tashmë Narkaj ndodhet i shtruar në spitalin e Traumës si pasojë e plagosjes nga RENEA, dhe pas përmirësimit të gjëndjes së tij, Narkaj do izolohet në një nga burgjet e vendit.