Radhë të gjata në Poliklinikën e Elbasanit
Dhjetëra qytetarë, mes tyre të moshuar, u duhet të presin me orë të gjata për të marrë shërbimet e nevojshme në poliklinikën e specialiteteve në Elbasan.
Të ngjeshur me njëri-tjetrin dhe përballë temperaturave të larta, qytetarët shprehen se ndonëse vuajnë nga sëmundje të ndryshme janë të detyruar të presin për tu konsultuar me bluzat e bardha.
"Nuk kemi kujt t'i ankohemi, sepse kur vjen këtu, ndryshe flet mjeku i lagjes dhe ndryshe recepsioni."
"Sot merr rekomandimin, nesër shko prit radhën, pasnesër bë analizat e pas një jave merr përgjigjen. Vdes fëmija deri atëherë, kam dy javë dhe nuk ka zgjidhur punë. Ka shumë radhë."
"Jemi të detyruar të presim, duhet t'i shtojnë sportelet,që mos rrimë të presim në vapë e të torturohemi."
"Ne jemi të sëmurë, nuk jemi për qejf këtu. Kjo situatë vazhdon çdo ditë këtu."
Por ka edhe nga ata që fajësojnë njëri-tjetrin për situatën e krijuar.
"Disa hynë pa radhë, ndoshta janë punonjës."
"Nuk mbajnë radhë e as distancë."
Edhe pse një institucion shëndetësor, në gjithë këto vite nuk është marrë asnjë masë për të krijuar hapësira pritëse për qytetarët. Të sëmurëve u duhet të qëndrojnë në këmbë, pavarësisht çdo lloj kushti atmosferik apo shëndetësor.
