Denoncimi i zv.kryeministrit për ndërtimet/ Qytetarët: Braçe të veprojë ligjërisht, jo statuse në Facebook
Denoncimet e përsëritura të Erjon Braçes për ndërtimet në Tiranë dhe punimet pa orar që shqetësojnë qytetarët kanë ngjallur realime të forta tek publiku. Banorët e kryeqytetit thonë se këtë qëndrim zv/kryeministri duhet ta bëjë publik me anë të shkresave ose kontrolleve në terren pasi është numri dy i qeverisë. Ndërtimet pa orar e kriter janë kthyer në problem edhe për qytetarët, të cilët thonë se duhen marrë masa për shkak të zhurmës dhe ndotjes së lartë.
Zëvendëskryeministri, Erjon Braçe, ka denoncuar për dy ditë radhazi në faqen e tij facebook punimet jashtë orarit dhe zhurmat në fundjavë për ndërtimin e dy kullave 7 metër larg pallatit ku banon.
Ndërtimet pa orar janë shqetësim edhe për qytetarët.
“Jemi dakord për mendimin që dha ai, është bo shqetësim i madh kjo puna e ndërtimeve vend e pa vend. Duhet vendos orar. Orar pa orar nuk është mirë. Me të thënë të drejtën janë shumë shqetësuese, se po punohet orar pa orar dhe pa leje. Ndërtimi ka një orar 8 me 4 dhe mbyllet puna.”- shprehen ata.
Megjithatë denoncimi i Braçes në rrjetet sociale pa ndjekur rrugën institucionale, duke qenë se është numri dy i qeverisë, ka shkaktuar reagime tek qytetarët që nuk dinë si ta përkthejnë, si pafuqi ndaj mospërmbushjes së detyrës nga bashkia e Tiranës apo si neglizhim të hierarkisë së institucioneve.
“Facebook çfarë ka për t’i zgjidhur, ai duhet ta bëjë ftesën në qeveri. Kur ankohet ai vet që ka shtetin në dorë, ça të ankohemi ne. Në qeveri duhet ta shprehi. Gjërat duhet të jenë më konkrete ose më të sakta nëse në vërtetë do i bëjmë me shkresa”- theksojnë ata.
Me anë të videove dhe statuseve në rrjetet sociale, Braçe u ankua se vinçat, betonieret, materialet e ndërtimit dhe skelat kanë zaptuar sheshpushimet e trotuaret ku kalojnë qytetarët dhe rrugët ku qarkullojnë e parkohen makinat.
Po kujt iu ankua zv/kryeministri, kur një nga detyrat e tij është kontrolli i zbatimit të ligjshmërisë për administrimin e territorit dhe qetësisë publike nga Bashkia, Policia, INUV dhe IKMT.

