Përsëritet apeli për vaksinim/ Delta qarkullon gjerësisht në Shqipëri, ja qytetet ku monstrat rezultuan pozitive

Varianti i ri i Covid ka prekur të paktën 21 qytetarë shqiptarë në disa qytete të vendit. Komiteti Teknik i Ekspertëve, njoftoi se mes të infektuarve ka edhe persona të cilët kanë marrë dy dozat e vaksinës anti-Covid. Pavarësisht përhapjes së versionit të ri Delta, Komiteti vendosi të mos i ndryshojë masat shtrënguese kundër pandemisë, ndërkohë që situata do të jetë në monitorim të vazhdueshëm.

Komiteti Teknik njoftoi se varianti Delta i Covid 19 po qarkullon gjerësisht në vendin tonë, pasi 21 persona janë konfirmuar si të prekur nga ky virus. Ekspertët sqaruan se rastet janë identifikuar në 10 qytete të vendit.

Të infektuarit kanë pasur një histori udhëtimi nga vende të tjera, madje mes tyre ka pasur edhe persona të vaskinuar me dozat anti-Covid.

Fico: Në Charite u dërguan 21 mostra klinike, nazale dhe faringiale të cilat kanë rezultuar pozitivë me metodën e real time PCR. Këto janë mostra të janë vënë mënjanë për periudhën 1 qershor deri në 12 korrik kur kemi filluar të shikojmë edhe sinjalet e pazakonshme. E rëndësishme është që në këto mostra ne i kemi gjetur në një përhapje në qytete si Tirana, Elbasani, Shkodra, Lezha, Kavaja, Gjirokastra, Korça, Peqini, Mati dhe Vlora, me numra të vegjël natyrisht. Por gjithsesi këto janë mostrat për të cilat kemi marrë përgjigje.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, bëri dhe një pasqyrim të situatën epidemiologjike në vendin tonë ku vihet re që ka një rritje të incidencës dhe të mesatares ditore.

Fico: Situata epidemiologjike në vend ka shënuar disa rritje në raport me incidencën e cila tashmë është 10 për 100 mijë banorë. Mesatarja ditore është rritur nga 13 deri në 27. Numri total i rasteve aktive rezulton i rritur nga 272 në 280. Numri i bashkive të cilat janë përfshirë nga rastet e reja ka shkuar në 10. Ndërkohë që vijojmë me të njejtin raport femra-meshkuj për infeksionin, 52 me 48% dhe në shërbimin e sëmundjeve infektive gjenden të shtruar 9 pacientë. Fatmirësisht nuk kemi pasur raste fatalitetesh për javën e 30. Vijojnë të shtohen numrat e personave të vaksinuar me dy doza. Ka arritur në 496 mijë e 714, pra rreth 500 mijë. Ndërkohë që ka një total prej 1 milion e 611 mijë 550 rastesh të kryera në totalin e tyre.

Situata në spitale dhe çfarë pritet të ndodhë me shkollat=

Në spitale situata aktualisht paraqitet e qetë, me 9 pacientë të shtruar, ndërsa nëse do të ketë të shtruar me variantin Delta protokolli i trajtimit do të vijojë i njëjtë.

Sipas Komitetit Teknik nëse situata vazhon me këto ritme edhe mësimi do të nisë në shkolla.

Për tu mbrojtur prej këtij virusi, ekspertët e shëndetësisë bëjnë thirrje për vaksinim dhe ruajtjen e higjienës personale.

Nuk ndryshojnë masat anti-Covid

Pavarësisht fluksit të turistëve të vendin tonë dhe rrezikut për përhapjen e pandemisë, Komiteti vlerëson se nuk është e nevojshme të shtrëngojë masat anti-Covid.

Drejtorja e IShP, Albana Fico, tha se do të vijojnë të dërgojnë monstra të tjera për analizë jashtë por nga ana tjetër ajo apeloi qytetarët që të vaksinohen, duke u shprehur se pavarësisht debatit mbi efektivitetin e vaksinave, kush ka marrë dy doza ka shanse minimale për manifestuar simptoma të rënda të sëmundjes.

Fico: Të gjithë rekomandimet e autoriteteve ndërkombëtare që drejtojnë dhe monitorojnë situatën e pandemisë në vende të caktuara kanë kryefjalë të tyre vaksinim, vaksinim, vaksinim kjo bashkërenduar dhe me masat.Nuk kemi përfunduar me pandeminë e Covid 19.

Nëse për një moment të caktuar harruam që jemi në këtë situatë, qarkullimi i variantit tregon se ne nuk e kemi përfunduar si detyrë. Të gjithë rastet që kanë problematika të ngjashme me infeksionin e Covid 19 të karantinohen dhe për shenjat dhe simptomat e tyre ti drejtohen mjekut të familjes. Të gjithë ato raste që kanë nevojë për ndihmë të shpejtë dhe të specializuar mjekësore sepse jeta vihet në rrezik, të telefojnë numrin e urgjencës 127. Mbajtja e maskës, ruajtja e distancës në ambjente të mbyllura, respektimi i orareve të përcaktuara, higjiena janë dhe mbeten kryefjalë sepse sëbashku me vaksinimin mund ta çojmë përpara.Ky proces që e kemi kryer për partinë e parë të monstrave vijon.

Një rol shumë të rëndësishëm në këtë proces luajnë qytetarët. Ju lutem mos anashkaloni këshillat e autoriteteve shëndetësore dhe së dyti për vaksinimin, nëse e keni kryer dozën e parë mbajeni kalendarin dhe kryejeni dhe dozën e dytë. Nuk duhet të harrojmë, personat me dy doza vaksine kanë shans minimal për të bërë gjëra drastike në shëndetin e tyre sa i takon Covid 19.