Vranë me thikë Atjonin në Romë: Detaje të reja, në kërkim shqiptari i pestë
Ora News zbardh ekskluzivisht ngjarjen e motivet që çuan në vrasjen me thikë të shqiptarit 26 vjeçar Atjon Lopci në Romë.
Ngjarja ndodhi pasditen e së premtes datë 23 korrik 2021 e në natën duke u gdhirë dita e shtunë datë 24 korrik, 26 vjeçari shqiptar ndërroi jetën në spitalin San Camillo të Romës.
Pas një operacioni gati 6 orë, për t'i shpëtuar jetën, Atjon Lopci nuk mundi të mbijetojë.
Policia italiane e qytetit të Romës ka informuar për gazetaren Alba Kepi në Romë se në ngjarje janë përfshirë 5 shqiptarë, njëri prej të cilëve mbeti viktimë.
Sherri i dhunshëm ka lindur për motive afere të paligjshme mes dy grupe shqiptarësh; tre nga njëra anë e dy shqiptarë të tjerë nga ana tjetër.
26 vjeçari shqiptar është goditur një herë të vetme me thikë në kurriz nga shqiptari me incialet A.G lindur në Shqipëri i datëlindjes 2002, pa precedent penal e me leje të rregullt qëndrimi në Itali.
Autori i krimi, pas disa orësh i shpallur në kërkim nga policia italiane është vetëdorëzuar në drejtorinë e Policisë së qytetit të Genovas.
Shqiptari A.G është vënë në arrest me akuzën e vrasjes.
Nën arrest janë vënë dhe dy shqiptarët pjesë e grupit kundërshtar të viktimës.
Ata janë shqiptari G.Z datëlindja 2001 me precedent penal për trafik droge e shqiptari K.R, datëlindja 2001 me leje të rregullt qëndrimi në Itali e pa precedent penal.
Ata u arrestuan mbrëmjen e së shtunës 24 korrik në stacioni hekurudhor të Orte-s ndërsa po tentonin të merrnin trenin në drejtim të Ankonës.
Autoritetet policore italiane janë në kërkim të shqiptarit të pestë të përfshirë në këtë ngjarje tragjike e rolit që ai ka pasur në këtë sherr të dhunshëm për afera të paligjshme.
Ngjarja tragjike në të cilën humbi jetën 26 vjeçari Atjon Lopci ndodhi në zonën Gazometro në lagjen Ostiense të Romës.
