E dekreton Meta/ Artur Kalaja, anëtari i 8-ë i Gjykatës së Lartë
Artur Kalaja është anëtari i tetë i Gjykatës së Lartë që emërohet në këtë institucion pas vakancave disa vjeçare të shkaktuara nga reforma në drejtësi dhe vetting në radhët e drejtësisë. Krahas dekretimit të anëtarit më të ri të Gjykatës së Lartë, presidenti Ilir Meta ka apeluar të gjitha institucionet që të nxitojnë me plotësimin e vendeve vakante në sistemin e drejtësisë.
Gjykata e Lartë e Shqipërisë plotësohet me tetë anëtarë pas dekretit të fundit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili ka emëruar në këtë institucion gjyqtarin Artur Kalaja.
Zyra e shtypit njoftoi se në datën 19 korrik 2021, Kreu i Shtetit ka administruar propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për emërimin e zotit Artur Kalaja, si anëtari më i ri në Gjykatën së Lartë, i cili është përzgjedhur për t`u emëruar përmes procedurave të ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit.
Presidenti Meta, pasi shqyrtoi vendimmarrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimin e përcjell nga ky organ, së bashku me praktikën dokumentare të ngritjes në detyrë për në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur për kandidim, që prej datës 26.2.2020, ka pranuar propozimin e KLGJ-së dhe përmes dekretit ka vendosur që Artula Kalaja të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
Me këtë emërim të ri, Gjykata e Lartë, nga sot bëhet me 8 gjyqtarë, nga 19 anëtarë, që duhet të ketë, sipas vendimmarrjes së KLGJ-së.
Presidenti i Republikës, përsërit edhe një herë thirrjen ndaj KLGJ-së se, duhet të vijojë angazhimin me ritme të shpejta për procedurat për emërimet e tjera në Gjykatën e Lartë, duke vepruar me pavarësi, integritet, dhe transparencë, për plotësimin sa më shpejt të Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore dhe për t’i ofruar njëkohësisht kësaj Gjykate mbështetjen e nevojshme.
Kriza e ujit në Iran, 5 viktima nga protestat e dhunshme
26 Korrik, 14:15
Presidenti i Republikës, risjell edhe njëherë në vëmendje të anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe institucioneve të tjera shtetërore të përfshira në këtë proces, se bërja sa më shpejt dhe plotësisht funksionale e Gjykatës së Lartë, por njëkohësisht dhe funksionimi me trupat e nevojshme gjyqësore të Gjykatave të Apelit, është me rëndësi jetike për vendin, lidhet direkt me procesin e integrimin Europian, stabilitetin e Shqipërisë, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Tiranës, Artur Kalaja, u konfirmua në detyrë nga KPK me 8 nëntor 2019.
Artur Kalaja e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000. Ai ka punuar si gjyqtar i Gjykatës së Elbasanit, ndërsa në vitin 2006 është emëruar anëtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë edhe pas 13 vitesh.
D E K R E T
PËR
EMËRIMIN E GJYQTARIT TË GJYKATËS SË LARTË
Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pikat 11 dhe 13, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, pas administrimit pranë Institucionit të Presidentit të Republikës në datë 19.07.2021, të propozimit të arsyetuar të përcjellë me shkresën me nr. 3390/2 prot., datë 19.07.2021 dhe Vendimit nr. 311, datë 16.07.2021, të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë, të kandidatit z. Artur Kalaja”, shoqëruar me praktikën dokumentare të ngritjes në detyrë/emërimit në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur për kandidim me vendimin nr. 87, datë 26.02.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, vendosa të:
D E K R E T O J:
Neni 1
Zoti Artur Kalaja emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

