"Banesa e fundit" fundos bandën e hajdutëve në Elbasan, të dyshuar për disa vjedhje në qytet

Pesë të rinj kanë rënë në prangat e policisë së Elbasanit, të dyshuar si autor të vjedhjes së banesave dhe lokaleve në këtë qytet.

Kapja e tyreu bë gjatë finalizimit të operacionit të koduar "Banesa e fundit".

"Bazuar mbi informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas po tentonin të vidhnin në një banesë  në lagjen "Emin Matraxhiu" në Elbasan, u organizua dhe u finalizua më sukses operacioni policor i koduar "Banesa e fundit".  Si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve L. Ll., 33 vjeç, B. M., 19 vjeç, I. T., 19 vjeç, E. B. 18 vjeç dhe B. Rr., 18 vjeç, banues në Elbasan".

Të arrestuarit janë kapur në flagrancë, në mesnatë, falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë, në tentativë për të vjedhur në banesën e shtetasit P. S., në lagjen “Emin Matraxhiu” Elbasan.

Nga veprimet e kryera rezulton se këta shtetas dyshohen se janë autorë edhe të disa vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një automjet në pronësi të shtetasit B. Rr., me të cilin këta shtetas kryenin vjedhjet, si dhe një mjet prerës thikë.  

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.