Politika uron Kurban Bajramin, Meta: Të mos ndalim përpjekjet për të shëruar plagët e shoqërisë, varfërinë e korrupsionin

Krerët e politikës shqiptare uruan komunitetin mysliman për festën e Kurban Bajramit. Ata përcollën mesazhe urime për paqe e mirësi teksa bën thirrje për solidaritet me të pamundurit.

Presidenti, Ilir Meta, uroi besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

Në mesazhin e tij përcjellë në rrjetet sociale, Kreu i Shtetit tha se politika nuk duhet të ndalë përpjekjet për të shëruar plagët e thella të shoqërisë si varfërinë, korrupsionin, padrejtësisë dhe arrogancën.

Presidenti bëri thirrje për më shumë vëmendje ndaj atyre që kanë më tepër nevojë, të moshuarit, të vetmuarit, të sëmurët etj.

"Gëzuar Kurban Bajramin! Urimet më të mira për të gjithë besimtarët dhe qytetarët shqiptarë kudo ndodhen, me rastin e kësaj feste të shenjtë dhe vëllazërore, që na fton në sakrifica për forcimin e solidaritetit mbarëkombëtar dhe kapërcimin e çdo pengese, që frenon ndërtimin e një Shqipërie plotësisht europiane!Sa më shumë mirësi, mirëkuptim, paqe, begati dhe dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit!Të mos ndalim përpjekjet për të shëruar plagët e thella të shoqërisë, varfërinë, korrupsionin, padrejtësitë, arrogancën dhe arbitraritetin dhe të kujdesemi e të mendojmë më shumë për të mirën e përbashkët, jetimët, të moshuarit, të vetmuarit, të sëmurët dhe për këdo në nevojë."Tek Zoti nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre (kurbanëve) por devotshmëria dhe përkushtimi Juaj". Kuran Zoti ua pranoftë adhurimin dhe lutjet!"

Mesazheve të urimit iu bashkua edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

“Sakrificat dhe lutjet tuaja qofshin të pranuara! Në familjet tuaja mbizotëroftë gëzimi, paqja dhe shpresa për një Shqipëri të drejtë e të begatë për të gjithë shqiptarët” shkroi kryetari i PD-së.

Më herët kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi shprehu mirënjohje ndaj komunitetit myslimanë teksa tha se traditat e tyre janë një vlerë e shtuar e kulturës, qytetërimit dhe humanizmit të shqiptarëve.

Kurban Bajrami është festa e dytë më e rëndësishme pas Fiter Bajramit. Ajo simbolizon sakrificën dhe shënon vullnetin e Ibrahimit për të sakrifikuar djalin e tij, sipas urdhrave të Zotit.