Akuza për zyrtarët e bashkisë Tiranë, Rtv Ora zbardh dosjen: Ja si e favorizoi kreu IMT-së ndërtimin pa leje

Gjykata e Tiranës ka konfirmuar masën detyrim paraqitje  për kreun e IMT-së së Bashkisë së Tiranës Mariglen Qaton dhe dy inspektorët, të cilët akuzohen për “shpërdorim detyre” në lidhje me ndërtimet pa leje. Rtv Ora ka siguruar dosjen e Prokurorisë ku thuhet se ndonëse Qato ka marre dijeni në kohë për një ndërtim pa leje nuk ka vepruar madje me shkejet proceduriale të kryera është bërë shkak që ndërtimi tashmë të jetë në prag legalizimi.

Gjykata e kryeqytetit ka lënë në fuqi masën detyrim paraqitje për Mariglen Qaton, kreun e IMT së Bashkisë së Tiranës, i akuzuar nga prokuroria për "shpërdorim detyre".

Pavarësisht se organi i akuzës ripërsëriti kërkesën për caktimin e masës "arrest me burg" gjyqtari Albert Meçe nuk e mori parasysh atë, duke vendosur "detyrim paraqitje".

Në të njëjtën masë do te hetohen edhe inspektoret Adrian Caushaj dhe Leandro Lamani, ndërkohë që i vetmi i akuzuar që do të qëndrojë në "arrest shtëpie" është arkitekti Klevis Bregu.

Hetimi ndaj tyre nisi pasi sipas prokurorisë kanë lejuar një ndërtim pa leje në kryeqytet megjithesë e kishin marrë të gjithe informacionin për këtë fakt.

Zanafilla e kësaj ngjarje ka nisur në prill 2020, ku shtetasi Eugert Bregu aplikoi në Bashkinë e Tiranës për “deklarim paraprak”, për kryerjen e punimeve “rregullimin e çatisë së pallatit”.

Projekti ishte hartuar nga vëllai i tij, Klevis Bregu, me profesion arkitekt.

Në 31 Korrik 2020, Policia e Komisariatit nr.1 konstaton ndërtim në taracën e pallatit dhe pas verifikimeve në terren konstaton se sipërmarrësi Eugert Bregu kishte tejkaluar lejen e marrë nga Bashkia e Tiranës, pasi po kryente punime që klasifikohen “ndërtim” (shtesë kati).

Pas këtij konstatimi, në të njëjtën ditë, Policia njofton zyrtarisht Inspektoratin Ndërtimor të Tiranës për situatën, si edhe referon rastin në Prokurorinë e Tiranës për “ndërtim të paligjshëm”.

Në 3 gusht 2020, policia konstaton se po vijonin punime në të njëjtin objekt dhe njofton sërish Inspektoratin Ndërtimor të Tiranës.

Në 10 gusht 2020, IMT vendos “pezullimin e punimeve” dhe gjobitjen e Eugert Bregu me 3 milionë lekë të vjetra. Në Shkurt 2021, nga verifikimi në vend, u konstatua se tashmë objekti pa leje (shtesë kati) kishte përfunduar dhe babai i vëllezërve Bregu kishte aplikuar edhe në zyrat e ALUIZNI-t për t’u pajisur me leje legalizimi.

Në këtë situatë, IMT u detyrua të nxirrte urdhrin e prishjes së objektit pa leje, si edhe vendosi gjobë 57 milionë lekë të vjetra për Klevis Bregun, pra, jo për sipërmarrësin Eugert Bregu, por për vëllain e tij që e kishte projektuar shtesën.

Prokuroria thotë se veprimet e Mariglen Qatos, fillimisht me mosveprim dhe më tej me shkelje me dashje të procedurave ligjore, kanë favorizuar ndërtimin e paligjshëm të katit shtesë.