Tjetërsimi i pronave në Shëngjin, ekstradohet nga Italia ish-juristi i Hipotekës së Lezhës
Ish-juristi i hipotekës së Lezhës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 2018 për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, është ekstraduar sot nga Italia në vendin tonë.
Nga specialistët e Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Italia drejt vendit tonë, i shtetasit Bledar Cara, banues në Lezhë.
Për këtë shtetas, në vitin 2018, Gjykata për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i formularëve, vulave ose stampave” dhe “Shpërdorimi i tokës”, të kryera në bashkëpunim.
Cara ishte pjesë e një prej grupeve të dosjes 339, që ka lidhje me abuzimin e pronave në Tale, Shëngjin dhe te Rana e Hedhun.
Ai në bashkëpunim me ish-kryebashkiakun e Lezhës Fran Frrokaj, ish-deputetin e Partisë Socialiste në Lezhë, Arben Ndoka dhe persona të tjerë akuzohen se kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234 548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare.
Personi i ekstraduar në PKK Rinas iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

