Përfituan 38 mijë euro duke ndërhyrë në llogaritë e “Facebook”, arrestohet i njëmbëdhjeti i grupit

Një 22-vjeçar është arrestuar nga policia si pjesë e grupit kriminal që ka përvetesuar rreth 40 mijë euro përmes mashtrimit në rrjetet sociale. I riu së bashku me dhjetë persona të tjerë akuzohen se vidhnin adresat e qytetarëve në Facebook dhe më pas u shkruanin të njohurve të tyre duke u kërkuar tu dërgonin para. Të arrestuarit përvetësonin shumat e dërguara në rastet kur personat e kontaktuar përgjigjeshin dhe dërgonin para në numrat që u ishin dhënë përmes rrjetit Facebook.

Arrestohet anëtari i 11 i grupit kriminal të akuzuar për mashtrimin e qytetarëve në rrjetet sociale.

Policia e kryeqytetit bëri të ditur se në vijim të operacionit policor të koduar “Transferta”, si rezultat i të cilit deri tani ishin vënë në pranga 10 shtetas, ka vijuar hetimi për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të operacionit, nga shërbimet e Policisë u bë kapja e shtetasit Endri Karimanllari, 22 vjeç, për të cilin ishte venosur masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.

Sipas njoftimit të policisë, ky shtetas në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, për një periudhë 1-vjeçare, ka ndërhyrë në llogari të ndryshme të rrjetit social Facebook, duke ndryshuar të dhënat e tyre dhe më pas i kanë përdorur për të komunikuar me miq të këtyre llogarive.

Me anë të mashtrimit 11 personat e identifikuar deri tani, kanë kërkuar shuma të ndryshme monetare dhe si rezultat kanë përfituar shumën 38000 euro.

Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se për këtë rast po vijon puna për dokumentimin dhe mbledhjen e provave të tjera, si dhe për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë.

Anëtarët e grupit të akuzuar për vjedhje me anë të mashtrimit, mësohet se kryenin ndërhyrjen në llogaritë e personave të ndryshëm në rrjetet sociale dhe pasi bëheshin përdorues të tyre, u shkruanin qytetarëve të tjerë duke kërkuar ndihmë ekonomike.

Mesazhet dërgoheshin në adresat e miqve të personave që u vidhej llogaria ndërkohë që pronarët e vërtetë të profileve që përdoreshin për këtë aktivitet nuk kishin asnjë dijeni.