Dielli ja lë vendin reshjeve, Shqipëria zgjohet me shi e breshër, boshatisen plazhet
Ulja e temperaturave u shoqërua me reshje të dendura në disa zona të Shqipërisë në orët e para të së dielës.
Në disa qytete nuk kanë munguar as reshjet breshërit, të cilat janë shoqëruar me vërshime në disa rrugë.
Këto pamje vijnë nga qyteti i Durrësit. Ujërat e vërshuan disa rrugë të qytetit, duke e bërë të vështirë edhe qarkullimin.
Ndërkohë qindra turistë që ndodheshin këtë fundjavë në Durrës, u detyruan të mos dilnin në plazh.
E njëjta situatë ishte edhe në Velipojë. Bizneset mbyllën dyert, dhe shezllonët nuk u hapën të dielën.
Moti me stuhi shiu përfshiu edhe rajonin e Lezhës dhe bregdetin e Shëngjinit.
Pushuesit nisën të largohen nga kjo zonë turistike, e për rrjedhojë u krijua trafik i rënduar në rrugën e Shëngjinit si dhe në superstradën nga Balldreni nq drejtim të Milotit.
Reshjet e forta kanë përfshirë edhe Lushnjen, ku shiu është shoqëruar edhe me breshër.
Moti i keq përfshiu edhe zonën e Fierit dhe Elbasanit.
Reshjet e së dielës vijnë si pasojë e stuhisë e cila ka përfshirë disa vende të Evropës, duke shkaktuar qindra viktima ndërsa meterologët janë shprehur se Shqipëria është në periferi të stuhisë dhe nuk pritet të shkaktohen dëme të mëdha.

