Sekuestrohen 120 bimë kanabis në Skrapar e Kuçovë, 44-vjeçari kapet duke i ujitur fidanët
Dy tentativa për kultivim kanabisi janë identifikuar në qarkun e Beratit, përkatësisht në fshatin Vërzhezhë të Skraparit dhe fshatin Mëndrakë të Kuçovës.
Në total janë sekuestruar 120 bimë kanabis.
Në Skrapar u arrestua në flagrancë shtetasi Adi Myftari, 44 vjeç, banues në Vërzhezhë, pasi u kap nga shërbimet e policisë, duke ujitur fidanët të dyshuara bimë narkotike cannabis sativa, të cilat ishin të mbjella pranë tokës së tij.
Gjithashtu specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kuçovë, proceduan penalisht shtetasit Shefqet Kuqi, 62 vjeç, me detyrë Kryetar i fshatit Mëndrakë, Kuçovë dhe Kujtim Behari, 51 vjeç, me detyrë Inspektor i Shërbimit Pyjor, pasi dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprës penale "Shpërdorim detyre".
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

