Turizëm me konflikte/ Në Velipojë hapësirat e plazhit ende nuk janë ndarë, operatorët: Po ikën sezoni

Hapësirat e plazhit në Velipojë vazhdojnë të jenë ende të pandara në mesin e sezonit turistik. Pavarësisht aplikimeve në portalin qeveritar e-Albania, operatorët turistikë po hasin probleme, ndërsa shprehen të revoltuar për situatën e krijuar, e cila sipas tyre po i çon drejt konflikteve.

Velipoja vijon të jetë "peng" i mosmarrëveshjeve për hapësirat e plazhit. Kur ka kaluar gjysma e muajit korrik, Ministria e Turizmit dhe Agjencia e Bregdetit ende nuk kanë arritur të ndajnë të gjithë hapësirën e përcaktuar për shfrytëzim.

Nga numri total prej mbi 30 aplikimesh, vetëm 10 kontrata janë lidhur ndërsa operatorët thonë se po shkojnë drejt konflikteve.

Lekë Prenga është një prej biznesmenëve që pasi aplikoi në e-Albania, ju konfirmuan 3 parcela me 2641 metra/katror stacion plazhi.

Pasi pagoi në 29 qershor taksën në Bashki në shumën 1.1 milion lekë të reja, zbuloi se parcelat e tij ishin të zëna dhe ende ai vijon të mos i shfrytëzojë.

“Ndërkohë ishte e zënë hapësira në fjalë, ne I kemi drejtuar një shkresë Bashkisë që të ndërhyjë të krijojë vendin që të vazhdojmë punën tonë.”

Bashkinë e Shkodrës e bën fajtore dhe madje Prenga deklaron se ajo është e përzier në gjithë këtë histori.

“Unë e nigjoj veten dy herë të grabitur, njëherë nga bashkia e mashtrimit që më ka dhënë parcelat që i kishte zënë tjetër kush, dhe ata ishin në dijeni."

Ankesa është bërë në datën 6 korrik, por nuk ka gjetur zgjidhje ndërkohë që i është drejtuar edhe policisë, ku kjo e fundit e inkurajon vetëm në rrugë institucionale.

“E vetmja përgjigje ose më tepër inkurajim, ka qenë që të vazhdosh të përdorësh forcën e logjikës."

Biznesmeni Prenga pranon se prej afro 3 dekadash ka shfrytëzuar këtë hapësirë dhe këtë vit që nënshkroi kontratën 5 vjeçare me ministrinë, paradoksalisht i rezulton e zënë.