Ardi Veliu në dijeni për tenderin e uniformave, letër Agjencisë në gusht 2020: Këmisha me mëngë të shkurtra kushton më shumë...
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka qenë në dijeni të tenderit të uniformave të policisë për të cilin u arrestuan nëntë zyrtarë.
Në dosjen e SPAK-ut ndaj të akuzuarve për shpërdorim detyre, thuhet se Veliu i ka dërguar Drejtoreshës së Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari një shkresë në 20 gusht të vitit 2020 ku ngre problematika me disa elementë, mes të cilave dhe absurditeti i çmimeve.
Në lidhje me këto të fundit, ngrihet shqetësimi se operatori ekonomik i shpallur fitues ka dhënë tri çmime të ndryshme për të njëjtin artikull. Madje, ka dhe një mospërputhje logjike mes artikujve të prodhuar.
"Këmisha me mëngë të gjata kushton më pak se ajo me mëngë të shkurtra, këmisha për meshkuj kushton më shumë se ajo për femra, xhupi treçereksh kushton më pak se xhupi i shkurtër, këpuca e dimrit gjysma kushton më shumë se këpucët taktike, kambalet."
Apo edhe atëherë kur për një produkt që janë kërkuar volume më të mëdha, janë ofruar edhe çmimet më të larta.
Në 1 shtator, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara në përgjigje të shqetësimit të ngritur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i bën të qartë këtij të fundit se hartimi dhe lidhja e kontratës është përgjegjësi e vetë autoritetit kontraktor.
Në dokumentet e SPAK, nuk rezulton që pas kësaj përgjigje drejtori i përgjithshëm i policisë të ketë pasur komunikim tjetër zyrtar midis këtyre dy institucioneve.
Vetëm 9 ditë më pas, Agjencia e drejtuar nga Edlira Naqellari ka nënshkruar kontratën me kompaninë D&E shpk, në bashkëpunim me tre subjekte të tjera të huaja.
Në dosje konstatohet se kontrata është lidhur në kundërshtim me ligjin dhe se anëtarët e komisionit janë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga titullarët për të favorizuar këtë subjekt duke firmosur dokumentet.
