Vera rrit rrezikun për infeksionet e veshit, simptomat dhe këshillat e mjekut si ta shmangim
Gjatë verës numri i atyre që vuajnë nga infeksionet në vesh është i madh. Pishinat dhe deti janë shkaktarët kryesorë të këtij shqetësimi shëndetësor. Besim Boçi mjek otorino-laringolog thotë se gjendja përkeqësohet kur veshët ngacmohen me kruajtëse apo me sende të tjera.
"Infeksionet e kanalit të jashtëm të dëgjimit fillojnë si një kruajtje e kanalit të jashtëm dhe kruajtja nga pacientët bëhet me objekte të ndryshme, duke filluar nga çelësat apo edhe kruajtëset e veshit të cilat nuk rekomandohen. Është pikërisht ky momenti i instalimit të infeksionit për shkak të traumës," thotë mjeku.
Fëmijët janë grupmosha më e mbrojtur thotë mjeku, ndërsa mes moshave të rritura të rinjtë janë më të rrezikuar për shkak të qëndrimit për një kohë më të gjatë në ujë.
"Është e rrallë te fëmijët e vegjël duke qenë se nuk kanë shumë qime në hyrje të kanalit sepse infeksioni fillon në fakt aty ku ka si infeksioni i rrënjës së qimes të cilat vendosen në hyre të kanalit dhe më shpesh vuajnë të rriturit," tha mjeku.
Këshilla e mjekut Besim Boçi është shmangia e kruajtjeve të veshit, ndërsa shton se duhet të aplikohen medikamente pasi qytetarët kanë përfunduar ditën e plazhit.
"Për të lehtësuar dhimbjen dhe për të përshpejtuar rënien e ënjtjes këshillohet që në kanalin e jashtëm të vendoset një tampon i cili duhet të rrijë vazhdimisht i lagur ose me antibiotikë. Shenjat që një pacient duhet të dyshojë: ata kanë dhimbje shumë të forta, dhimbja shtohet kur ne shtypim në pjesën e parë të kanalit," tha Boçi.
Veç dhimbjes së fortë specialisti i fushës shprehet se infeksioni i veshit nuk ka rrezik për jetën.
