Paketa e re e prokurimit publik, Buxhuku: Ka munguar vullneti politik për t'i kushtuar vëmendje sistemit

Kryeministri Rama prezantoi paketën e re të prokurimit publike. Sipas Ramës është një paketë e cila qartëson domosdoshmërinë për të rritur integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjitha palëve të përfshira në këtë proces.

Gjergj Buxhuku, kreu i Konfindustrisë në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News u shpreh se ky është një hap i mirëpritur, pavarësisht se është i vonuar në kohë. Sipas Buxhukut, ka munguar vullneti politik i qeverive për ta zbatuar si duhet paketën e prokurimit publik.

Buxhuku: "Pavarësisht kohës e cila është pak e vonuar në mendimin tonë, është një hap i mirëpritur që të ngresh një shqetësim të tillë për të cilin është i përgjegjshëm çdo biznes për mos thënë çdo qytetar për aferat që ndodhin në prokurimet publike që ndodhin. Shpresojmë që të jetë efektive, pasi nuk dimë gjë konkrete. Duhet një hap i qartë që të përmirësohet procesi i prokurimit publik. Mund të bësh çdo paketë por nëse nuk ka vullnet politik për ta zbatuar siç duhet, nuk ka vlerë. Gjenda është shumë e vështirë, ka munguar vullneti politik për ta zbatuar dhe në mënyrë të padiskutueshme nuk mund të bëhet ndarje me thikë për qeveritë. Secila qeveri, kur vjen fjala për prokurimet publike të gjitha nuk kanë qenë të interesuara për ta zbatuar ashtu siç duhet."

Sipas Buxhukut, është e rëndësishme që të ndiqet mënyra se si përcaktohen fondet, pra investimet publike të të gjitha llojeve.

Buxhuku: "Është e pamundur që nivelet e larta të qeverisë shqiptare të jenë të paditura me atë çka ndodh dhe çfarë bëjnë vartësit e tyre me prokurimet publike me qindra milionë  eurove të prokuruara. Është shumë e rëndësishme që përpara se të shikojmë thjesht prokurimin publik në mënyrën e përmirësimit të tij, duhet të ndjekim standardet e BE-së në mënyrën se si përcaktohen fondet, pra investimet publike të të gjitha llojeve. Këtu fillon ajo alfa e parë që qeveria duhet të shikojë nga themelet se çfarë ndodh me qenien e tyre, nëse duhet apo jo të financohen. E treta që do t'i jepte shumë vlerë premtimit të kryeministrit për përmirësim rrënjësor të sistemit të prokurimeve publike në Shqipëri do të ishte shmangia totale  veprimeve të qeverisë nga dhënia pa tender ose me tendera fiktivë të shpërndarjes së pasurive publike të Shqipërisë. "

Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku