Kokainë në banane, bllokohet kontejneri me 14 pako drogë në portin e Durrësit, dy të shoqëruar në polici

Një tjetër sasi kokainë është sekuestruar në Portin e Durrësit në një ngarkesë me banana që vinte nga Ekuadori. Nga të dhënat e para nga operacioni deri më tani janë zbukuar 14 pako me peshë nga 11 deri në 15 kilogram kokainë.  Policia ka ndaluar shoferin dhe një përfaqësues të kompanisë që priste ngarkesën me banane, të cilët kanë mohuar përfshirjen në tentativën e trafikut.

Një sasi kokaine u sekuestrua në Portin e Durrësit në një kontejner me banane të ardhur nga Ekuadori.

Policia e Durrësit bën me dije se janë zbuluar të paktën 14 pako të tilla në fshehura, me një peshë që sipas informacioneve varion nga 11 deri në 15 kilogram kokainë.

Por sasia e kokainës së kapur ende nuk është zyrtare.

Forcat e Policisë vijojnë kontrollin e imtësishëm të kontejnerit të modifikuar, sepse skaneri ka evidentuar njolla të tjera të kuqe, të cilat tregojnë për mundësinë që të ketë ende pako të fshehura.

Siç tregojnë pamjet pakot ishin të fshehura brenda trupit të kontejnerit që sipas burimeve kishte ardhur dy ditë më parë në portin e Durrësit nga Ekuadori si porosi e kompanisë "Alba Ekzotik Fruits."

Policia mësohet se ka pasur informacion ndaj e kanë mbajtur nën monitorim dhe kanë vepruar këtë të martë duke zbuluar kokainë.

Shoferi dhe përfaqësuesi i kompanisë: Nuk kemi lidhje me trafik

Burimet thanë se nga hetimet e deritanishme janë ndaluar Barjon Gumeni,vëllai i Eduart Dautaj dhe Jurgen Osmani punonjës i kompanisë "Alba Ekzotik Fruits."

Të dy mësohet se kanë mohuar përfshirjen në trafikun e kokainës.

Në muajt e fundit në Portin e Durrësit janë konstatuar më shumë se 500 kg kokainë.

Rasti më i fundit ishte më 18 qershor, kur në port u kapën 324 kg në një kamion që kishte si destinacion Italinë.

Droga ishte e ndarë në rreth 300 pako me peshë të ndryshme, të cilat kishin të stampuara logo të markave të njohura të parfumeve, uiskit brazilian apo klubeve të sportit si PSG apo Chicago Bulls.

Në pranga për rastin u vu shoferi 40-vjeçari nga Maqedonia e Veriut Nazif Ajrofski, i cili ka mohuar të kishte dijeni për lëndën narkotike.