GJKKO e la në burg, ish-kryebashkiaku i Lushnjes apelon masën e sigurisë

Ish-kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe, ka apeluar vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila caktoi ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg" për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Vendimi u mor me 8 korrik, vetëm një ditë pasi Këshilli i Ministrave e shkarkoi nga detyra kryebashkiakun e Lushnjes.

Masa e sigurisë 'arrest me burg" u dha edhe për 6 të arrestuarit e tjerë, nga të cilët 4 janë zyrtarë të Bashkisë së Lushnjes dhe dy biznesmenë të cilët akuzohen si të përfshirë në tenderin abuziv për rehabilitimin e kanalit ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj me vlerë 28 milionë lekë të reja.

Ndërkohë që 4 nëpunësit e tjerë të kësaj bashkie do të vijojnë të qëndrojnë në arrest në shtëpi.

Fatos Tushe, u vu në pranga në kuadër të një aksioni antikorrupsion, të urdhëruar nga SPAK.