Eksklusive/ Flet pronari i “Alba Exotic Fruit”: S'kam dijeni për drogën, po festoj ditëlindjen e vajzës në Francë

Zbulohet emri i kompanisë që është kapur sasia prej 11 kg kokainë në portin e Durrësit.

“Alba Exotic Fruit”, është kompania që kishte në pronësi kontejnerin me banane të kapur në portin e Durrësit.

Burime të prokurorisë dhe policisë së Durrësit, thanë për Ora News se deri në këtë fazë të hetimit, për këtë rast të trafikut të drogës nga Ekuadori në Shqipëri, janë arrestuar Barjon Gumeni, administrator i firmës dhe një punonjës tjetër me emrin Jurgen Osmani.

Gumeni rezulton të jetë vëllai i pronarit të kompanisë “Alba Exotic Fruit”, Eduart Dauti.

Hera e dytë që kompanisë i kapet kokainë

Ky është rasti i dytë që kjo kompani përdoret nga trafikantët për të trafikuar kokainë nga Ekuadori në Shqipëri.

Në vitin 2017 në portin e Pireut kësaj kompanie ju sekuestrua në kontejner sasia prej 137 kilogram kokainë.

Droga u kap dhe u hoq nga kontejneri në portin e Pireut, ndërsa në vend të saj u vendosën pako me oriz, të cilat mbërritën në Shqipëri.

Për këtë rast u arrestuan dy persona, ndërsa Gentjan Malindi vijon të jetë ende në kërkim.

11 kg kokainë në Durrës, pronari reagon për Ora Neës

Pronari i kompanisë “Alba Exotic Fruit”, Eduart Dauti, ka reaguar për Ora Neës duke treguar se nuk ka asnjë lidhje me trafikun e drogës.

Dauti, ka rrëfyer nga Franca, ku ndodhet për një vizitë me familjen, se s’ka asnjë përgjegjësi penale dhe s’ka pasur asnjë dijeni se në kontejnerin me banane ishte futur një sasi e tillë droge.

"Unë jam në Francë aktualisht dhe nuk di asgjë se çfarë ka ndodhur. Më kanë marrë miq e shokë, duke më treguar se është kapur drogë në kontinjer, por realisht nuk di asgjë. Prej tre ditësh ndodhem në Francë së bashku me familjen pasi kam ditëlindjen e vajzës. Nesër besoj vij në Shqipëri, pasi kam dhe biletat e kthimin dhe do sqaroj të gjithë pozicionin tim dhe të kompanisë” - ka treguar Dauti për Ora News.

Më tej ky i fundit ka shtuar se edhe herën e parë kompania e tij është përfolur për trafik droge, por autoritet amerikane sqaruan situatën, duke e kapur drogën e trafikantëve, pikërisht në portin e Pireut.

“Ky kontejner i bllokuar ditën e sotme ka mbërritur në portin e Durrësit nga porti i Pireut në Greqi. Sasia e bananeve është blerë nga firma në një kompani tjetër në Ekuador. Unë kam bananet nuk kam kontejnerin dhe s’mbaj përgjegjësi se çfarë i futet kontejnerit gjatë rrugës. Trafikantët Shqiptarë përdorin mallin tim për të transportuar drogën e tyre” - ka pohuar Dauti.

Më tej biznesmeni thotë se do vijë shumë shpejt në Shqipëri ku do sqarojë të gjithë situatën.

Magazina e kompanisë “Alba Exotic Fruit”, është kontrolluar e gjitha me shumë urgjencë mesditën e sotme nga policia, me shpresën e sigurimit të provave të tjera.