Dje u hodh shorti, KED nis verifikimin dhe vlerësimin e kandidatëve për Kushtetuesen
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit, më datë 12.07.2021, filloi zyrtarisht procedurat e verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese.
Në ligjin nr.115/2016 dhe ligjin për Gjykatën Kushtetuese, neni 7/ç pika 1, etj., parashikohet se institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë, paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë KED.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e konsideron këtë njoftim jo thjesht si një përmbushje të një detyrimi ligjor kundrejt publikut, pasi në përmbushje të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore KED synon të garantojë një proces të rregullt ligjor, transparent, me integritet dhe të besueshëm.
Shorti për caktimin e relatorëve që do të kryejnë procesin e verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për vendet vakante për anëtar të Gjykatës Kushtetuese u zhvillua të hënën, 12 korrik, në mënyrë manuale, sipas dispozitave në fuqi, për shkak të pamundësisë teknike të zhvillimit të tij në mënyrë elektronike.
Pas organizimit të këtij shorti, rezultatet janë si më poshtë vijon:
1. Mandat i Shpallur nga Gjykata e Lartë, për vendin vakant të Zj. Vitore Tusha:
Relator: Marsida Xhaferllari
Këshilltar: Besmir Rrapaj
2. Mandat i Shpallur nga Gjykata e Lartë, për vendin vakant të Z. Fatmir Hoxha:
Relator: Rilinda Selimi
Këshilltar: Laureta Nezaj
3. Mandat i Shpallur nga Gjykata e Lartë, për vendin vakant të Z. Gani Dizdari:
Relator: Elona Toro
Këshilltar: Saimir Nazifi

