Ministrat në SPAK për tenderat, Rama ua thotë në sy: Paditë me firmën time!
Paralel me hetimet e SPAK për tenderat kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një fushatë ndaj abuzimeve me fondet publike.
Këtë të martë ai mblodhi anëtarët e kabinetit për paketën e re të prokurimeve vetëm katër ditë pas paralajmërimit ndaj kryebashkiakëve socialistë.
Ndërsa këtyre të fundit u kujtoi SPAK-un, nga ministrat kërkoi të mbajnë nën kontroll vartësit dhe tha se vetë ai si Kryeministër do të çojë çdo çështje abuzive për hetim.
Rama: Mos ti hahet haku askujt, kush e ka me hak ti marri hakun, kush nuk e ka me hak mos ti marri hakun e dikujt tjetër. Është shumë më e lehtë të thuhet se të bëhet se procesi është i ndërlikuar, për të cilin BE kërkon rrugë me mjete ligjore për ta përsosur, por ama është e mundur objektivisht e mundur që në një kohë të shkurtër ky shtet të kalojë në një nivel tjetër.Në radhe të parë duke garantuar që çdo institucion të funksionojë si hallkë dhe jo si bajrak.
Dhe duke funksionuar kështu, bëhet si një zinxhir ku komunikimi garantohet 100%. Sikur në një rast të vetëm rekomandimet të bien në një vesh të shurdhër sa të mos ketë përgjigje, a thua se Agjencia e Prokurimit Publik mbyll letra në shishe dhe i hedh në det që dallgët ti nxjerrin ku ti nxjerrin, çdo rast i tillë do shkojë në SPAK nga kjo godinë këtu. Pastaj a është i qëllimshëm, a është injorancë, kjo çështje indiferentët përkatës ta shpjegojnë duke marrë avokat me vete.
Këtë angazhim Rama e kërkon në nisje të mandatit të tyretë të tij dhe pas 8 vitesh qeverisje paraqet një bilanc sipas të cilit vetëm gjatë dy viteve të fundit janë asistuar 936 procedura dhe nga këto 70% kanë rezultuar problematike.
Rama: Janë asistuar 936 procedura të publikuara nga këto institucione, ndër to 70% e procedurave kanë rezultuar problematike në hartimin e kritereve dhe për këtë arsye institucioneve përkatëse janë dërguar rekomandime nga Agjencia e Prokurimet.
20% e institucioneve nuk janë reaguar dhe ose nuk kanë reflektuar ndaj rekomandimeve. Rekomandimet nuk janë të shkruara në gur, nuk janë të padiskutueshme, por është e padiskutueshme që mos reagimi ndaj tyre me shkrim për të vënë në diskutim me argumente është cënim flagrant i etikës shtetërore.
Paketa e re e prokurimi publik, sipas kreut të qeverisë, synon mjete të reja efikase dhe mekanizma monitorues dhe ndëshkues në rastet e shkeljeve.
Rama: Duke funksionuar si hallkë, funksionon si pjesë e një zinxhiri ku komunikimi duhet të jetë jo 99% por 100% i garantuar.
Deri më tani në duart e prokurorisë janë vetëm 50 çështje për abuzimet në tendera, disa të nisura nga vetë SPAK dhe pjesa tjetër e denoncuar nga opozita.
