Operacioni për tenderin 25 mln euro/ Kallëzimi u bë nga Murrizi dhe Valteri, SPAK dyshon për zyrtarë të tjerë të përfshirë
Kallëzimi i deputetëve të opozitës së re Myslim Murrizi dhe Halit Valteri ka çuar në pranga të paktën tetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të ministrisë së brendshme.
Në denoncim deputetët evidentuan si përgjegjës kryesorë ministrin e Brendshëm të kohës Sandër Lleshaj dhe drejtuesen e ministrisë së Mbrojtjes Olta Xhaçka.
"Besoj që SPAK po të hetojë do të gjejë një lidhje të çuditshme dhe interesante me këtë subjekt që ka objekt të veprimtarisë së tij gërmime dheu dhe për çudi në shtetin shqiptar merr tenderat e ministrisë së mbrojtjes, tenderat e Drejtorisë së përgjithshme të burgjeve dhe tenderin e ministrisë së Brendshme," tha Murrizi në kohën kur bëri denoncimin.
Pas denoncimit të grupit parlamentar demokrat më 3 gusht 2020, SPAK ka nisur hetimet në të cilat kanë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik.
Kontrata për blerjen e uniformave të policisë së shtetit me fond limit 2.8 miliardë lekë është hapur më 26 korrik 2019 dhe ishte parashikuar të mbyllej në 19 gusht të po të njëjtit vit por u shty disa herë.
Fituese u shpall më pas në korrik të vitit 2020 kompania D&E shpk, në bashkëpunim me tri subjekte të tjera të huaja.
Në fakt nga analizimi i dokumenteve rezulton se dhe subjekti i përzgjedhur fitues ka pasur mangësi në plotësimin e kritereve pasi në nisjen e procedurës nuk zotëronte një sistem elektronik shpërndarjeje.
Sipas të dhënave të publikuara në QKB kompania D&E në dhjetor të vitit 2019 ka shtuar në objektin e aktivitetit ‘Prodhime aplikacione softëare dhe sistemesh për menaxhimin e shpërndarjes së uniformave dhe mallrave’. Veprim që në fakt është bërë pas shtyrjes së afatit.
Në garë morën pjesë 3 operatorë ekonomikë, dy prej të cilëve janë skualifikuar për mosplotësim kriteresh teknike, duke lënë kështu në garë vetëm fituesin.
Me këtë fond do të siguroheshin 8 tipe të uniformave, 4 forma të gradave, stema dhe këpucë të posaçme.
Grupi parlamentar demokrat akuzonte se Lleshaj dhe Naqellari kanë ushtruar presion ndaj komisionit të vlerësimit të ofertave për të skualifikuar kompanitë e tjera dhe të shpallnin fituese kompaninë D&E shpk, e cila ka ofruar edhe 5 miliardë lekë më shumë.
Madje në kallëzim thuhet se tenderi është mbajtur në datën 11 maj ndërkohë që klasifikimi duhej bërë brenda 10 ditësh, por fituesi është publikuar online pothuajse dy muaj më vonë.
Prokuroria dyshon se përveç këtyre personave janë edhe të tjerë zyrtarë të ministrisë së Brendshme të përfshirë në këtë aferë korrupsioni, informon gazetari Edison Vatnikaj.

