Nuk u shkoi kurrë në çezma, uji i pijshëm në fshatin Visokë shpërndahet me traktor

Fshati Visokë në Mallakastër nuk ka ujë të pijshëm. Banorët kanë thënë se kurrë nuk kanë pasur ujë, ndërsa apelojnë Bashkinë dhe institucionet e tjera që të marrin masa urgjente për zgjidhjen e kësaj situate.

Në këto ditë të nxehta të verës, uji në Visokë të Mallakastrës po shpërndahet me traktor.

Banorët e këtij fshati dëshmojnë se nuk kanë pasur kurrë ujë në çezmat e tyre.

"Që kur kam lindur nuk ka pasur ujë."

Në mungesë të ujit, banorët hapën puse, por zona mban naftë, ndaj uji ishte i pakonsumueshëm.

"Kam dy vjet që blej ujin se kam probleme nga veshkat."

"Pijmë uji pusi nga e keqja."

"Nuk pihet uji i pusit, vetëm për të vaditur."

"Ky fshat nuk ka pasur ndonjëherë ujë."

Nga pushteti vendor banorët thonë se ka pasur gjithmonë premtime, por uji nuk shkoi kurrë tek ta.

"Premtime po por punë nuk ka bërë asnjëri."

Janë rreth 300 familje që vuajnë për mungesën e ujit të pijshëm, ndërsa situata bëhet edhe më e vështirë në muajt e nxjehtë të verës.