Projekti për tu rikthyer, Rama 11 diskutime online me të rinjtë: Jam këtu për t'ju respektuar maksimalisht
Kryeministri Edi Rama vijoi ciklin e sesioneve me të rinjtë të fushave të ndryshme, që duan të kthehen në Shqipëri, ku bëri me dije para aplikantëve se në hapin e radhës, ato do të shqyrtojnë projektet e tyre më detajisht me ministrat e fushës përkatëse.
Objektivi është që këto takime të zhvillohen para pushimeve të verës.
"Koha e takimit të dytë nuk është shumë e shkurtër, por qëllimi është që ne para rifillimit të punës pas pushimeve ta kemi kryer këtë proces," tha Rama.
Të pranishëm në takimin virtual me aplikantët ishin dhe figura të tjera të PS, prezencë të cilën Rama e konsideroi se një shenjë besueshmërie dhe respekti kundrejt çdo të riu që aspiron të investoj në Shqipëri.
"Jam këtu jo se nuk mund ta bëjnë këtë punë të tjerët që janë këtu, por edhe për t'ju respektuar maksimalisht. Ndaj e konsideroj edhe si një shprehje indirekt besimi," tha kreu i qeverisë.
Ky ishte sesioni i 11-të i mbajtur nga Rama që ka si synim nxitjen e të rinjve që kanë braktisur Shqipërinë të japin kontributin e tyre në atdhe përmes ideve që kanë.
