Shtyhet sërish seanca e dosjes ‘184’ për zgjedhjet për Bashkinë Dibër të vitit 2016

Gjykata e Dibrës pritej të jepte këtë të enjte vendimin për dy nga katër zytarët e vënë nën akuzë në kaudër të dosjes së bujshme 184, për shitblerjen e votës në zgjedhjet vendore të vitit 2016.

Gjykimi ka përfunduar për ish-drejtorin e Arsimit, Drini Gjeci, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve dhe Nuri Medën zyrtar në njësine administrative Tomin, i akuzuar për shpërdorim detyre.

Prokuroria e Dibrës ka kërkuar për të dy dënimin me nga 2.5 vite burg.

Por që të dy ish-zyrtarët përfitojnë ulje me 1/3 e  dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar, ndaj përfaqësuesi i akuzës kërkon që pjesa e mbetur tu konvertohet në shërbim prove.

Dy të akuzuarit do të dilnin para togave të zeza në orën 13:00, por seanca nuk u zhvillua për shkak të mungesës së avokatëve.

Në këto kushte vendimi u shty për më 22 korrik.

Ndërsa Robert Aga, ish shef-komisariati në Dibër, akuzuar për shpërdorim detyre, dhe Hasan Hoti, funksionar në njësinë administrative Lurë, të akuzuar për kanosje të zgjedhësve, kanë zgjedhur gjykim me procedurë normale.

Ndaj çështja e tyre është ndarë dhe seanca e radhës do të mbahet më 12 korrik në Gjykatën e Dibrës.

Pjesë e dosjes së bujshme "184" ishte edhe Dionis Imeraj, ish-kryebashkiak i Dibrës dhe kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit, por çështja ndaj ti u pushua, ashtu si për Imer Lalën, Arben Keshin, Bekim Krashin e Afrim Miklin.

Prokuroria ka konstatuar se ata kane kryer veprën penale të shitblerjes së votës por për shkak të tejkalimit të afatit 3 vjeçar vepra penale është parashkruar, ndaj nuk mund të merren në përgjegjësi penale.

Dosja "184" u regjistrua fillimisht nga Prokuroria për Krimet e Rënda pas një kallëzimi të Partisë Demokratike, për dyshime mbi shitblerje të votës në zgjedhjet e Dibrës, ku fitues doli Muharrem Rama i PS përballë Sherefedin Shehut të PD-së.

Në vitin 2019 gazeta gjermane "Bild" publikoi disa nga përgjimet e saj, duke shkaktuar reagime të forta për shkak se protagonistë në to ishin ish-ministra dhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste.

Dosja u tranferua disa here nga SPAK në Dibër, ndërsa pas katër vitesh më në fund u dërgua në gjykatë.