“Lufta” mes kunatave në Lezhë,45-vjeçarja e akuzuar mohon dhunën: I hoqa celularin që po më filmonte
Gjykata e Lezhës nxori nga qelia 45 vjeçaren Age Gjaci nga fshati Markatomaj, e akuzuar se dhunoi kunatën Dava Ndoj në proces divorci dhe që kishte një urdhër mbrojtje nga familjarët e bashkëshortit!
Ngjarja u shënua mbrëmjen e 5 korrikut e për pasojë të dyja përfunduan në spital e më pas njëra në pranga.
Nga spitali 33-vjeçarja, Dava Ndoj, akuzoi se dhuna ndaj saj kishte nisur që në janar dhe se institucionet nuk i kishin garantuar mbrojtjen.
"Jam me urdhër mbrojtje, por nga shteti nuk kam gjetur kurrë qetësi. Të merren të gjitha masat e duhura dhe të më japin një zgjidhje," tha Ndoj.
Por 45-vjeçarja e akuzuar për dhunë në Gjykatë dha një tjetër variant të ngjarjes.
Para togave të zeza, Age Gjaci, mohoi akuzën.
Ajo tha se konflikti me kunatën nisi kur ajo tentoi ti heqë 33-vjeçares një telefon me të cilin po e filmonte dhe më pas u përfshinë edhe familjarët e tjerë.
Mbi bazë të provave të referuara nga policia, prokurori Françesk Ganaj kërkoi që 45-vjeçarja të mbahej në burg, por Gjykata caktoi masën “arrest shtëpie.”
Vendimi u argumentua me faktin se vetë e akuzuara sikurse edhe personat e tjerë kanë marrë dëmtime gjatë konfliktit.
Ndërkohë që priten edhe rezultatet e ekspertizës mjeko ligjore që mund të ndihmojnë për të zbardhur përgjegjësitë në luftën mes kunatave që përfundoi në përplasje fizike.
