Ikin Zegjine Sollaku e Lindita Sinanaj, KPK shkarkon gjyqtaret, nuk justifikuan pasurinë në blerjen e apartamenteve

Gjyqtaret Zegjine Sollaku dhe Lindita Sinanaj janë shkarkuar nga detyra. KPK ka konstatuar se Sollaku nuk justifikonte 7 milionë lekë pasurim teksa Sinanaj nuk kishte të ardhura për blerjen e dy apartamenteve me vlerën e rreth 10 milionë lekëve.

KPK vendosi të shkarkojë nga detyra dy gjyqtare pas problemeve të konstatuara me pasurinë.

E para në listën e seancave ishte Zegjine Sollaku. Në 1 korrik trupa deklaroi papajtueshmëri të të ardhura për 7 milione lekë pasuri.

E mbrojtur nga Theodhori Sollaku, ajo deklaroi se nuk ishin llogaritur të ardhurat e bashkëshortit të saj si këshilltar i Presidentit. Këtë të enjte argumentet nuk bindën trupën e vlerësimit.

Të njëjtin fat kishte dhe gjyqtarja e gjykatës Administrative të Apelit, Lindita Sinanaj. Më herët për të u gjetën papajtueshmëri të ardhurash për rret 10 milionë lekë, për blerjen e dy apartamenteve në Fier dhe në Tiranë. Në seancën e parë ajo u mbrojt me të ardhurat e familjarëve, por sërish trupa nuk u bind.

Të premten KPK do të marrë vendim dhe për gjyqtaren e gjykatës së Tiranës Rezarta Balliu (Vigani). Një ditë më parë ministrja e Drejtësisë deklaroi se pastrimi i drejtësisë nuk do të ndalet.

Për të mos lejuar ngërç ligjor, parlamenti i ri do të vendosë në shtator për shtyrjen e mandatit të trupës së vettingut.