Zhupa: Sot u mbyll një parlament që nuk përfaqësonte qytetarët, beteja e jonë do vijojë në shtator

Ditën e sotme është mbajtur seanca e fundit parlamentare në Kuvend.

E ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike, në zgjedhjet e 25 Prillit, Ina Zhupa, u shpreh se ditën e sotme është mbyllur një cikël I legjimiteti 2-vjeçar, pasi sipas saj që nga djegia e mandateve të PD, parlamenti nuk ishte kushtetues, duke qenë se ishte vetëm me 120 deputetë.

Më tej shton se djegia e mandateve ishte veprim pozitiv nga forca e saj politike, teksa shton se beteja do të fillojë në shtator.

"Sot u mbyll një cikël i legjimitetit 2 vjeçar, 2019-2021, e një parlamentarizmi që nuk ishte kushtetuese, sepse funksiononte me 120 deputetë , ndryshe nga ajo që parashikon Kushtetuta. Ata persona që zevëndësuan opozitën aty, në fakt ishin shtojca të qeverisë, votuan gjithçka që donte të kalonte qeveria, nga pronat publike, tek ndryshimet në kodin zgjedhor.

Pra gjithçka që kishte nevojë Edi Rama, nuk ishin aty si përfaqësues të elektoratit, sepse nuk ishin fare të votuar. Veprimi që ka bërë opozita në djegien e mandateve, ka qenë një veprim mjaft pozitiv, për sa i përket  luftës që ne bëmë për të delegjitimuar , të gjithë atë që kishte bërë Edi Rama në mënyrën se si e kishte fituar pushtetin dhe se si donte që opozitën ta kthente në fasadë. Ne nuk pranuam që të ishim fasadë në parlament, u bëmë qytetarë të thjesht, ja kthyem njerëzve mandatin, pavarësisht se disa element nuk e merituan mandatin dhe shkuan në parlament për t’u bërë shtojcë e Edi Ramës.

Sot më në fund mbyllet një parlament që nuk përfaqësonte qytetarët, dhe beteja e jonë do vijojë në parlament në shtator. Do vijoj në të gjitha mënyrat për t’ia kthyer qytetarëve atë që iu takon."

Për sa i përket zgjedhjeve të 25 prillit, Zhupa u shpreh se ishin masakër elektorale, teksa shton se degët e PD në të gjithë vendin po bëjnë një analizë të thelluar.

"Ne mbajmë përgjegjësi për veprimet tona politike, si PD. Ne u votuam më shumë nga qytetarët dhe ata na besuan se u shkuam si qytetarë të thjesht, pa pushtet, pa asnjë mëkat, me një plan dhe me një projekt. Zgjedhjet nuk I kemi quajtur ne po janë një masakër e vërtetë  elektorale, mjafton që të shikoni faktet që po dalin. Ne kemi depozituar 180 padi, që nga prokuroritë e rretheve e deri në SPAK, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në fushatë. Me votat që kemi marrë ne duhet të kishim më shumë vende në parlament dhe jo këto vende që kemi. Janë 25 mandate që janë marrë nga Edi Rama, me skemën e krimit zgjedhor.

Asnjë nuk mund të thotë që një votë e vetme e PD është një votë e blerë  apo është një votë e tjetërsuar, apo me presion shtetëror. Janë vota të pastra për ndryshimin. Procesi i analizës është ende duke u kryer në degët e PD. Por edhe PD nuk është mbledhur për të marrë në shqyrtim edhe analizën e rezultatit zgjedhor  për zgjedhjet e 25 prillit. Secila degë e PD, po bën një analizë të vërtetë, me emra konkret që pastaj mund të jenë në dispozicion të mediave, do të jenë me detaje reale se çfarë ka ndodhur në masakrën zgjedhore. Kjo do të jetë dosja që do të shqyrtohet për çdo njeri që do të dijë për procesin zgjedhor.

Partia Demokratike është në një sërë procesesh, procesi i analizës, procesin e nominimeve për anëtarët e Këshillit Kombëtar që do të zgjidhet me 17 korrik, dhe nga tjetër kemi një komision për ndryshimet statusore. E sigurt është që ne do të kërkojmë ndryshimin e reformës territoriale një reforme që e ka masakruar mënyrën se si marrin qytetarët shërbimet."

Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti për online Anila Kolgjini