Takimi me ambasadorët e BE/ Basha: Integrimi Europian i Shqipërisë, prioriteti i PD
Kryedemokrati Lulzim Basha, ka zbardhur takimin që ka zhvilluar pasditen e sotme me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian.
Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Basha, krahas fotove që ka publikuar nga takimi, shkruan se integrimi Europian i Shqipërisë ka qenë dhe mbetet prioriteti kryesor i Partisë Demokratike
Më tej ai shton se PD do të kërkojë deri në fund hetimin e krimeve zgjedhore, ndëshkimin e fajtorëve dhe kthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend.
"Diskutime të frytshme sot me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian . Integrimi Europian i Shqipërisë ka qenë dhe mbetet prioriteti kryesor i Partisë Demokratike, ndaj do të bëjmë gjithçka që vendi ynë të eci përpara në këtë rrugëtim kaq të rëndësishëm për qytetarët tanë. Për ne BE do të thotë votë e lirë, pavarësi e institucioneve, liri dhe pavarësi e mediave, ndarje e politikës nga krimi dhe luftë ndaj korrupsionit.
Pa këto nuk mund të ketë as zhvillim, as integrim dhe as demokraci. 25 prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe për Partinë Demokratike nuk mund të quhet një kapitull i mbyllur. Prandaj ne do të kërkojmë deri në fund hetimin e krimeve zgjedhore, ndëshkimin e fajtorëve dhe kthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend."
