Plagosja e familjes në Velipojë, arrestohet tregtari i gazit që furnizoi hotelin, vijoi shitjen pasi ja bllokoi ISHTI
Tre ditë pas ngjarjes tragjike në Velipojë, ku katër anëtarë të familjes Gjoka mbetën të plagosur nga shpërthimi i një bombole gazi në hotelin e tyre, policia ka arrestuar pronarin e pikës së shitjes që gazit i cili e ushtronte pa licencë aktivitetin tregtar.
Strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar arrestuan në flagrancë shtetasin Petrit Mlloja, 46 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi pa licencë i aktivitetit tregtar”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët djegëse” dhe “Tregtimi dhe hedhja për konsum e lëndëve djegëse, në kundërshtim me ligjin”.
"Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur më datë 04.07.2021, në fshatin Pulaj Plazh, Velipojë, Shkodër, në një hotel trekatësh, ku si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi mbetën të dëmtuar shtetasit A. Gj. 40 vjeçe, D. Gj. 19 vjeçe, K. Gj. 15 vjeçe dhe E. Gj. 12 vjeç, u konstatua se gazi që përdorej në këtë hotel tregtohej në kundërshtim me ligjin".
Gjithashtu ISHTI i kishte bllokuar aktivitetin tregtar një ditë pas ngjarjes.
Po shtetasi Petrit Mlloja e ka shkelur masën e bllokimit të aktivitetit duke vazhduar tregtimin pa licencë të gazit të lëngshëm dhe të naftës, jashtë kushteve tekniko-ligjore, thotë policia.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Nëna dhe tre fëmijët, Alketa Gjoka 40 vjeç, Klarisa Gjoka 15 vjeç, Danjela Gjoka 18 vjeç dhe Enriko Gjoka 12 vjeç, të cilët mbetën të plagosur rëndë nga shpërthimi i bombolës janë dërguar në Itali për kurim.
