"Kreu i AMA-s, politik", Zekthi: Qeveria autokratike e Ramës nuk pyet për shqiptarët, s'ka pse ta bëjë për të huajt
Analisti, Fitim Zekthi, nuk është aspak i surprizuar nga votimi i sotëm i Kuvendit për kreun e ri të AMA-s.
Në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, ai thotë se Ramës i nevojitet kontrolli i këtij organi përmes një njeriu politik pasi qeverive autokratike nuk u intereson që të vërtetat të bëhen publike.
Zekthi: Kryeministri Rama është një njeri që përpiqet të kontrollojë median, propaganda e tij të jetë e vetmja gjë që dominon jetën publike shqiptare. Mediat, televizionet, gazetat apo portalet online të sillen në mënyrën që do Kryeministri. Kështu që emërimi i sotëm nga parlamenti shqiptar me përdhunë në kundërshtim me kërkesat e ndërkombëtarëve dëshmon faktin se ai kërkon që këtë institucion ta ketë në kontroll. Këtu vihet re dhe hipokrizia e madhe e Kryeministrit, i cili thotë se unë kërkoj bashkëpunim me opozitën.
Kryeministri kërkon ta kontrollojë këtë organ sepse qeveritë e këqia, qeveritë që ozurpojnë pushtete, qeveritë që rreken dhe bëhen autokratike në vijimësi të qeverisjes së tyre vazhdimisht nuk kënaqen me pushtetin që kanë, kërkojnë të kontrollojnë më shumë pushtet dhe media është gjëja e parë që ata duan të kontrollojnë sepse duan që e vërteta të mos dalë në sy të publikut. Si mund të mos dalë në sy të publikut?
Duke i kontrolluar.Çfarë ka ndodhur? Një person që ka qenë zëdhënëse e PS, drejtoreshë e komunikimit në kryeministri dhe drejtireshë e ATSH, që mund të jetë njeri i nderuar në profesionin e saj, ama është njeri krejtësisht partiak, është zgjedhur në kundërshtim me praktikat e qeverisë së mirë dhe në kundërshtim me kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë.
Dy ishin kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë, që kreu i AMA-s të ishte një person i pavarur dhe votimi i tij të bëhej nga parlamenti i ri në shtator.
Zekthi: Është oksimoron të kërkosh që të zgjidhet një njeri i pavarur në krye të AMA-s në një qeveri si kjo e jona, e cila funksionon duke patur vetëm një zë që dominon parlamentin, qeverinë, jetën publike, gjykatat, prokurorinë.
AMA është një institucion shumë i rëndësishëm që monitoron dhe garanton pavarësinë e mediave. Detyra e AMA-s është të monitorojë etikën, zbatimin e ligjit mbi mediat, pavarësinë e mediave dhe në radhë të parë të bëjë të mundur që media në Shqipëri të punojë në kushte të lira dhe të thotë të vërtetën.
Këto nuk rrinë bashkë, një qeveri autokratike që blen zgjedhjet, është e korruptuar, që përditë e më shumë ka tendenca të ozuprojë pushtete, ti kërkosh që të ketë një entitet si AMA të pavarur është oksimoron.
Me siguri që do të injoronte thirrjen e ndërkombëtarëve dhe do të përdorte këtë parlament të diskretituar për të arritur këtë qëllim. Është fakt që qeveria shqiptare është autokratike, përderisa nuk pyet për shqiptarët nuk ka pse të pyesë për të huajt.
Kjo e mërkurë shënoi dhe seancën e fundit plenare, teksa Zekthi thotë se ky parlament ka përfaqësuar një surrogato më të keqe sesa ajo e kohës së regjimit komunist.
Zekthi: Nuk kam fjalë, në një vend demokratik të bëhet parlamenti në këtë mënyrë dhe të shërbejë për të ndryshuar Kushtetutën. Ky nuk është parlament i turpit, por i turpit në katror, në kub apo në fuqi N. Nuk ka turp që e përshkruan turpin e këtij parlamenti.
Ndaj ai shpreson që parlamenti i ri në shtator të kuptojë që duhet të bëjë politikë.
Sa i takon reformës në drejtësi Zekthi është skeptik, pasi siç thotë ai, ka rënë në dirigjimin e kryeministrit Rama.
