Operacioni në Lushnje/ Gjeta: SPAK po bën drejtësi selektive, veprimet e institucioneve të pamjaftueshme
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, politologu Altin Gjeta, ka komentuar operacionin e ditës së djeshme të SPAK në Lushnje, ku u arrestuan 11 persona, mes tyre edhe Kryebashkiaku Fatos Tushe.
Gjeta është shprehur se veprimet nga institucionet e drejtësisë janë të pamjaftueshme për të krijuar besueshmërinë publikut.
Sipas tij, SPAK po bën drejtësi selektive, teksa shton se ka edhe raste të tjera si ajo e Tushes, që duhet të ndiqen nga institucionet e drejtësisë.
"Veprimet e institucioneve të drejtësisë duhen përshëndetur, por gjykoj se veprimtaria e tyre deri më tani është e pamjaftueshme për të garantuar besimin e publikut. Iniciativa e SPAL dhe institucioneve të drejtësisë,kanë treguar deri më tani se kanë pasur tendenca për të kryer drejtësi, selektive dhe drejtësia selektive nuk mund të jetë drejtësi.
Ngjarja e Kryebashkiakut të Lushnjes është ngjarje minore në krahasim me rastet e tjera të cilat janë bërë publike. Mendoj se ka edhe raste të tjera të cilat duhen të ndiqen dhe në gjykimin tim SPAK dhe institucione të tjera të drejtësisë nuk e kanë justifikuar deri më tani investimin e madh ndërkombëtar, por edhe pritshmëritë e madh të publikut tek institucionet e reja të drejtësisë.
Mendoj që aktet duhet të jenë ato që duhet të flasin e jo retorika. Deri tani në këto momente që flasim aktet kanë qenë të dobëta dhe të pamjaftueshme. Ndoshta disa dënime shembullore nga institucionet e reja të drejtuese, do të jepnin një mesazh publik drejt qytetarëve, mbi funksionimin e këtyre institucioneve. Do jepnin një mesazh për zyrtarët e korruptuar që ata të tërhiqen nga praktikat e korrupsionit, e abuzimit të pushtetit."
Ai shton se duhet të mbështesim një drejtësi permanente që vihet në veprim në mënyrë presfesionale dhe jo që nxitet nga politika.
"Ka një lloj besimi në qarqet e qeverisë se disa veprime të tilla selektive për të bërë shembull zyrtarë të caktuar siç është rasti i Lushnjes apo edhe raste të tjera, do ta afrojnë Shqipërinë me BE, do të japë sinjale në Bruksel se Shqipëria po bën detyrat e shtëpisë dhe po lufton krimin e organizuar.
Duhet të mbështesim një drejtësi që funksionon në mënyrë permanente, me akte të qëndrueshme, një drejtësi funksionale të pavarur e cila është larg ndikimit të politikës, pasi ky është problemi më i madh që ka manifestuar sistemi i drejtësisë në Shqipëri. Ne kemi nevojë për një Shqipëri që funksionon në mënyrë permanente, një drejtësi që vihet në veprim në mënyrë profesionale dhe nuk nxitet nga politikanët. Kjo është më e pakta që ne kemi nevojë."
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini

