Lufta për lekët e kanaleve në Lushnje, tjetër tender problematik nga Bashkia, Komisioni e bllokoi dy herë

Përplasjet për tenderat e pastrimit të kanaleve në Lushnje kanë nisur një vit përpara se SPAK të hetonte kryebashkiakun Tushe. Procedura e hapur për sistemin në Krutje me vlerë 15 milionë lekë është bllokuar dy herë nga KPK. Kjo sepse Bashkia skualifikonte kompaninë me vlerën më të ulët. Për koincidencë subjektet e përfshira janë të njëjtat me tenderin që hetoi SPAK.

Përplasjet për tenderat e kanaleve të ujitjes në Lushnje rezultojnë të kenë nisur 1 vit para se SPAK të niste hetimet. Sërish pjesëmarrës rezulton të ishin Euro-Alb shpk, administratori i të cilit u vu në pranga këtë të mërkurë dhe Avduli dhe Bahas shpk që ankimoi procedurën e hetuar nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion.

Ndërmarrja e Pasurive Publike Lushnje ka hapur në maj të vitit 2019 procedurën për rehabilimitin e kanalit ujitës në njësinë administrative Krutje me fond limit 15 milionë lekë.

Në garë morën pjesë 5 subjekte, 4 prej të cilave u skualifikuan duke lënë vetëm kompaninë Euro-Alb shpk me ofertën më të lartë prej 14.7 milionë lekësh.

Ky vendim është kundërshtuar nga bashkimi i operatorëve “Avduli” & “Bahas “shpk për probleme me kamioncinat dhe ankimimi ka përfunduar deri në dyert e Komisionit të Prokurimit Publik.

Ky i fundit pas analizimit të dokumentave ka kërkuar rikualifikimin e këtyre subjekteve.

Por në njoftimin e dytë, sërish ndërmarrja e Lushnjes njofton këtë bashkim operatorësh se është përjashtuar nga gara, këtë herë me argumentin se ka paraqitur një ofertë tepër të ulët.

Kjo është kundërshtuar sërish nga “Avduli” & “Bahas “shpk duke e dërguar çështjen dhe njëherë në dyert e KPP.

Sërish është vendosur anulimi i vendimit të Ndërmarrjes së pasurive publike Lushnje, pasi kompanitë justifikonin ofertën e paraqitur për tenderin e kanalit ujitës.

Kështu, KPP ka shmangur nënshkrimin e kontratës nga oferta më e lartë e paraqitur nga Euro-Alb shpk dhe fitues është shpallur bashkimi i operatorëve ankimues.

Por duket se përplasja ka vijuar edhe më tej, këtë herë me tenderin e rehabilitimit të kanalit të ujitjes Bishqethëm, për të cilin SPAK vendosi hetime e më pas arrestimet.