Revoltohet presidenti i jurisë Spike Lee: Kjo botë drejtohet nga gangsterë!
Regjisori Spike Lee, i pari personalitet me ngjyrë, që drejton jurinë e festivalit të Kanës këtë vit ka përcjellë një mesazh politik në mbrojtje të të drejtave të afroamerikanëve. I revoltuar, ai tha se bota po drejtohet nga gangsterë, duke iu referuar ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
Në nisje të Festivalit të Kanës nuk kanë munguar as mesazhet politike në mbrojtje të të drejtave të afroamerikanëve. Regjisori dhe njëkohësisht presidenti I jurisë, Spike Lee denoncoi autoritarët dhe faktin se njerëzit me ngjyrë ende "goditen si kafshë" në SH.B.A.
"Agjenti Orange, ky djalë në Brazil dhe Putini janë gangsterë. Ata nuk kanë asnjë moral, skrupuj. Kjo është bota në të cilën jetojmë. Ne duhet të flasim kundër gangsterëve si këta," tha regjisori I revoltuar.
Lee, i cili është i pari personalitet me ngjyrë që drejton jurinë e festivalit, përdori pseudonimin e tij të preferuar për Donald Trump, "Agent Orange" dhe citoi një fragment nga "1619", duke iu referuar vitit në të cilin skllevërit e parë mbërritën në Amerika.
Anëtarët e tjerë të jurisë folën për emocionin e pjesëmarjes në Kanë pas gati 18 muaj pandemie, e cila anuloi edicionin e vitit 2020.
Mes tyre, Song Kang-ho, fituesi i fundit i “Palmës së artë”, "Parasite", aktorja dhe regjisorja Mati Diop, aktori Maggie Gyllenhaal etj.
Në tapetin e kuq parakaluan yje të shumtë të hollivudit, mes tyre edhe protagonistët e natës së parë, Adam Driver dhe Marion Cotillard.
"Annette", e regjisorit enigmatik Leos Carax, është i pari nga 24 filmat që garojnë për “Palmën e Artë”, çmimin kryesor të festivalit.

