Rikthehet festivali i Kanës, të ftuarit duhet të kenë një test negativ të Covid-19 ose të jenë të vaksinuar

Pas një viti pezullimi për shkak të pandemisë së koronavirusit, nisi këtë të martë Edicioni i 74-t i Festivalit të Filmit në Kanë. Tashmë organizatorët kanë shpalosur posterat gjigantë që zbukurojnë pjesën e përparme të “Palais Des Festivals”, ku zhvillohet ceremonia. Të gjithë të ftuarit dhe ata që do ecin mbi tapetin e kuq, duhet të kenë një test negativ të Covid-19 ose duhet të jenë të vaksinuar.

Eve Gabereau, drejtore ekzekutive e distributorit “Modern Films” në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se kthimi në Kanë është gati "surreal”, por shumë i rëndësishëm për industrinë në përgjithësi dhe profesionalisht edhe për kompaninë e saj.

“Kana është kaq e rëndësishme për shkak të zhurmës së krijuar rreth filmave të rinj dhe talenteve, që na lejon si industri të bashkohemi dhe të shohim vitin përpara, si për tregjet lokale ashtu edhe në shkallë globale”.

Rikthimi i Festivalit të Filmit në Kanë është emocionues jo vetëm për artin, por dhe për pronarët e restoranteve, lokaleve dhe hoteleve, që presin me padurim turistët.

“Kjo është arsyeja pse ne e duam festivalin në Kanë. Ka shumë turistë, njerëz që vijnë nga e gjithë bota. Na mungoi, ne fitojmë edhe sa i përket financave. Jemi të entuziazmuar, kemi qëndruar optimistë që nga fillimi i krizës, jemi të kënaqur që i shohim sërish turistët”, – u shpreh Mélanie De Perst, pronare e restorantit “l’Epicurien”, në Francë.

Rikthimi i Festivalit të Kanës pritet të mbushë një hendek jetësor në industrinë e filmit, i cili është lënë në harresë nga pandemia. Industria globale u vlerësua të ketë humbur rreth 32 miliardë dollarë në vitin 2020.

Festivali i Kanës do të hapet nga aktorët Adam Driver e Marion Cotillard dhe do të vazhdojë deri më 17 korrik. Filmi që do të marrë çmimin kryesor “Palma e Artë”, do të përzgjidhet nga regjisori Spike Lee dhe kryetari i jurisë së festivalit.