Meta dekoron arkeologët

Kreu i Shtetit, Ilir Meta,  dekoroi pas vdekjes themeluesin e arkeologjisë shqiptare, Hasan Ceka,  arkeologun e shquar francez Leon Rey si dhe mbrojtësin e trashëgimisë historike dhe zbulimeve të rralla në Apoloni Jean Gabriel Rey.

Për dy të parët u akordua Dekorata e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe për të tretin Titulli “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.

Sipas presidentit Meta, vlerësimi i këtyre tre figurave të arkeologjisë i dedikohet gjeneratës që punoi për zbulime të mëdha arkeologjike në Shqipëri duke kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e historisë së vendit.

Meta: Jam i lumur, që jemi sot së bashku, për të vlerësuar tre personalitete shumë të shquara dhe me kontribute të jashtëzakonshme për zhvillimin e arkeologjisë dhe për promovimin e vlerave tona më të mira të trashëgimisë historike dhe kulturore, Prof. Hasan Ceka, z.Leon Rey dhe z.Jean Gabriel Rey.

Të tre këto personalitete i lidh ngushtësisht një qendër e famshme arkeologjike si Apolonia, po aq sa i lidh edhe dashuria e përbashkët për arkeologjinë dhe për Shqipërinë, në këtë vend ku u zhvilluan aspiratat, por edhe talentet e tyre.

Leon Rey dhe Hasan Ceka janë dy emra që përbëjnë një unitet, po aq sa edhe një vazhdimësi.

Leon Rey, si nismëtari i gërmimeve arkeologjike në Apoloni dhe zbuluesi i monumenteve kryesore, që përbëjnë sot qendrën e Parkut Arkeologjik të Apolonisë.

Ndërsa Hasan Ceka, si bashkëpuntori i tij shqiptar, në ato gërmime, por dhe si vazhduesi i punës për krijimin e qendrës arkeologjike më të madhe dhe më komplekse të Shqipërisë.

Madhështia e punës së tyre duhet vendosur në kontekstin e kohës. Ishte viti 1923 kur Leon Rey mori në ngarkim detyrën për të filluar zbulimet arkeologjike në Apoloni.

Presidenti tha gjithashtu se arkeologët e nderuar i lidh ngushtësisht jo vetëm Qendra Arkeologjike e Apolonisë por edhe dashuria e përbashkët për Shqipërinë.

Meta dekoron arkeologët