"Tirana pa identitet", pasardhësit tirons: Mall për qytetin e dikurshëm, janë shkatërruar vlerat kulturore

Ata që kanë lindur në Tiranë e janë rritur rrugicave të saj, sot e kanë të vështirë të gjejnë një copëz të qytetit të tyre të fëmijërisë.

Rrethuar nga ndërtesa të larta, që kanë hedhur themelet në gjurmët e godinave që mbartnin histori, Tirana thuajse e ka humbur identitetin e saj.

Pasardhës së familjeve të vjetra, Toptani, Bogdani, Fortuzi e Zajmi shprehin keqardhje për shkatërrimin e ndërtesave me vlerë kulturore.

"Unë kam shumë nostalgji për Tiranën e kohëve me përpara, ndoshta sepse është pjesë e fëmijërisë time," tha Klodiana Toptani.

"Më mungojnë që te trashëgimia arkitekturore, kulturore, artistike e shumë objekteve që sot janë shembur dhe nuk ekzistojnë," tha Mirela Bogdani.

"Ajo që shoh unë duket një krim urban. Më duket një zhvillim dhe një betonizim pa precedent. Mua nuk më pëlqente Tirana me kioska druri, me pisllëqe, por ato kioska druri për 24 orë i hedh përmbys, po këtyre betoneve çfarë do t'i bëjmë," tha Ardiana Fortuzi.

Ardiana Fortuzi thotë se ka mall për qytetin e dikurshëm që siç tregon ajo kishte aromën e luleve.

"Rruga "Fortuzi" ku unë kam lindur nuk është më rruga që kam lindur. Ajo ka qenë një rrugë me vila, me shtëpi private, me shumë lule, shumë pemë dhe gjyshja ime tregon se tiransit thoshin po shkojmë nga rruga Fortuzi të marrim "avdes" sepse ajo rrugë ngaqë ishte e mbushur me pemë kishte gjithë kohën fresk dhe aromë lulesh," tha Ardiana Fortuzi.

Inxhi është më i riu i familjes së vjetër Zajmi. Ai e përjeton me trishtim transformimin e Tiranës që po zaptohet nga rrokaqiej e po humbet trashëgiminë e saj.

"Më dhemb shumë kur e shoh se si shkatërrohen ndërtesa historike. Unë mendoj që Tirana duhet ta ketë një identitet, duhet të ruhet qyteti i vjetër, të paktën ajo që ka mbetur," tha Inxhi.

Pasardhësit e katër familjeve autoktone Tironse prezantuan të enjten në një aktivitet organizuar nga Tirana Intelektum pemët gjenealogjike, duke rrëfyer histori e promovuar vlerat që i kanë përcjellë brez pas brezi.