Ndërron jetë lehona në Durrës, 29-vjeçarja kishte sjellë në jetë fëmijën e dytë, familjarët akuza mjekëve

Ardita Muça 29-vjeç, nuk mundi t`i gëzohej ardhjes në jetë të fëmijës së dytë. E reja humbi jetën të hënën e 5 korrikut, 3 ditë pasi kishte lënë Spitalin e Durrësit pas lindjes së djalit.

Familjarët e 29-vjeçares nga Shkallnuri akuzojnë mjekët për fatin e saj tragjik.

Ata e përshkruajnë Arditën si një vajzë të fortë dhe të shëndetshme. Drejtësisë i bëjnë apel për vendosjen para përgjegjësisë së autorëve.

Të afërmit e të ndjerës thonë se autoambulanca mbërriti me vonesë dhe nuk kishte mjetet e duhura për t`i ardhur në ndihmë vajzës.

"Më thoshte më kanë çarë shumë Angjelina, më shumë seç duhet. Më çanë njëherë, më çanë herën e dytë, nuk dilte fëmija. I dëgjoja të gjitha kur flisnin. Unë ndihesha keq tha, ata bërtisnin shpejt shpejt, tërhiqe tërhiqe. Ne kemi video kur e kanë tërheq çunin. Tani a është pjesë e operacionit, a është pjesë e gjilpërave apo që e nxorën shpejt, nuk e  di. Ka lindur me 30 qershor".

"Dyshoj që nuk janë bërë gjërat në spital si duhet. Edhe kanë marrë lekët dhe nuk kanë bërë gjë."

"Duam drejtësi, ajo ka vdekur për faj të mjekes.Ka qenë e fuqishme. Duhet ti bënin hollimin e gjakut, a vdes një gocë 29-vjeçare me trompozë? Direkt pas operacionit ajo duhet të bënte hollimin. I lanë dy jetimë."

Ardita Muça shkoi pa shenja jete në Spitalin Rajonal të Durrësit ndërsa policia njofton se ka referuar materialet në Prokurori për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e vdekjes.

"Më datë 05.07.2021, rreth orës 20:00, jemi njoftuar se ka mbërritur pa shenja jete në spitalin rajonal Durrës shtetësja A. H., 29 vjeçe, banuese në Shkallnur. Trupi i viktimës ndodhet në morgun e spitalit për t'iu nënshtruar një ekspertize mjeko ligjore më të specializuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme dhe grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes".